Në Prishtinë hapet panairi i veshjeve tradicionale

Kultura

Në Prishtinë hapet panairi i veshjeve tradicionale

Më: 9 prill 2014 Në ora: 08:52

Veshjet popullore janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese e transmetuese të shumë elementeve që vijnë nga lashtësia dhe nga koha e mesme, por janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve. Edhe pse dita–ditës gjithnjë e më shumë po afrohemi drejt civilizimeve botërore, një pjesë e mirë e shoqërisë akoma vazhdon t’i ruaj dhe t’i kultivoj këto veshje. Si motivacion për përdorim të veshjeve tradicionale dhe punimeve të ndryshme me dorë janë edhe panairet e shumta që organizohen nga shoqata “Gratë në biznes”, një i tillë është hapur edhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Shumica e pjesëmarrëseve këtu u shprehen të kënaqura që gjenden aty, në këtë mënyrë duke i mirëpritur organizimet e tilla të panaireve me artizanate dhe punëdore. Njëra nga pjesëmarrëset e këtyre panaireve tha për KultPlus se këtë punë e bënë me shumë kënaqësi pasi që për të, këto veshje e tregojnë kulturën e popullit tonë.

“Mirë kalojmë, ka njerëz të interesuar për punë, unë kam edhe punëtorinë time në të cilën punoj veshje edhe më porosi. Punoj me vek, me makinë e me grep. Me këtë punë merrem që nga mosha 14 vjeçare dhe vazhdoj të merrem akoma me këtë punë. Unë fatkeqësisht nuk e ia kam lënë askujt këtë zanat sepse tani janë kohërat e tjera, tash ka më shumë interesim për përgatitje shkollore se sa për zanate. Unë dua që ta vazhdoj këtë zanat sepse është pjesë e trashëgimisë sonë dhe dua të vdes me këtë punë. I porosis të gjitha vajzat që do të martohen që pa një veshje tradicionale mos të martohen” tha Gjyle Berisha.

Ajo gjithashtu kishte një kërkesë edhe për prishtinasit që t’i mirëpresin organizimet e tilla e sidomos ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e lashtësisë së popullit shqiptar.

Në këtë panair pjesëmarrëse ishte edhe Arzie Borovci. Ajo tregoi që për punën me grep nuk ka shumë të interesuar, sipas saj kushtet ekonomike kanë ndikuar negativisht edhe tek ruajtja e traditave kulturore.

“Jena nga shoqata VitaJeta, dalim në panaire tradicionale vazhdimisht sepse merremi me punime të ndryshme me grep, panairet janë të mira sepse na mundësojnë shitjen e punimeve që ne i bëjmë. Kërkesat janë më të ulëta prej viteve paraprake, sepse gjithnjë e më pak njerëzit po kanë të holla”, bëri të ditur Borovci.

Fidajete Nura pjesëmarrësja e radhës e panairit të artizanateve, nuk u shpreh e kënaqur me interesimin e vajzave të reja për punëdore. Ajo tha që stina e verës është koha kur shtohet kërkesa pak më shumë.

“Merrem me punë dore, janë punime që të marrin shumë kohë, mirëpo unë i punoj me kënaqësi sepse janë pjesë e kulturës dhe traditës sonë shqiptare. Interesimi për këtë lloj zanati është deri diku jo në një masë sa do të donim ne, mirëpo ne akoma vazhdojmë të punojmë. Kërkesat janë varësisht edhe nga stina, sepse vera është stinë e dasmave, mirëpo edhe dimrit kemi kërkesë, sepse punojmë edhe xhemperë me grep. Secila stinë i ka kërkesat e caktuara”, tha Nura.

Veshjet popullore, çdo veshje me pjesët e saja, tipet e variantet apo pjesët e tyre punohen me dorë e me kreativitet. Gjatë punimit të tyre shprehet ndjenja për të bukurën. Motivet zgjedhën dhe krijohen duke u bazuar në radhë të parë krahas nivelit të zhvillimit ekonomik por edhe shoqëror. Kështu, edhe motivet e krijuara në veshjet shqiptare me kalimin e kohës ndërrojnë vendin. Ndër motivet e veshjeve shqiptare më së shumti ka dominuar dielli në trajtë spiraloide, pastaj shqiponja dykrenore, gjarpri si mbrojtës i shtëpisë, kuçedra si armike, drangoi, kurrizi i peshkut e tjera, kurse te pjesët e veshjes që punoheshin me vegje kryesisht kanë dominuar motive floreale, motive me figura gjeometrike, zoomorfe e shumë më pak ato antropomorfe.

Në anën tjetër, transformime ka pasur edhe në aspektin kromatik. Kjo shihet sidomos në periudha të ndryshme historike kur kanë dominuar ngjyrat e forta, apo ato herë-herë janë zëvendësuar me ngjyra më të lehta. Në fakt, sa më thellë të futemi në lashtësi ngjyrat ndalin më të uniformuara, sidomos kur janë përdorur ngjyrat natyrore të lëndës së parë.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat