Hapet Panairi Ndërkombëtar i Librit në Shkup

Kultura

Hapet Panairi Ndërkombëtar i Librit në Shkup

Më: 9 prill 2014 Në ora: 08:49

Botuesit nga Shqipëria nuk kanë shfaqur interes të madh për Panairin Ndërkombëtar të Librit në Shkup. Në këtë panair, ku kanë ngritur stendat e tyre mbi 70 shtëpi botuese, numri i botuesve shqiptarë është simbolik ndërsa botuesit nga Kosova nuk janë prezentë, thonë përfaqësues të shtëpive botuese nga Tirana
Prej sot e deri më 14 prill në Metropolis arenën në Panairin e Shkupit do të mbahet Panairi i 26-të ndërkombëtar i librit, ku do të marrin pjesë mbi 70 botues.

Në stenda me çmime të panairit do të shiten librat nga produksioni më i ri botues në Maqedoni dhe botimet e përkthyera, zhanre të ndryshme, letërsi shkencore, enciklopedi dhe fjalorë, libra për fëmijë...
Organizatorët e Panairit të Shkupit dhe Shoqata e Botuesve dhe Librarive të Maqedonisë (SHBLM) kanë paralajmëruar pjesëmarrje edhe të botuesve të huaj nga Bullgaria, Shqipëria, Serbia (e prezantuar nga Biblioteka kombëtare), Italia dhe Suedia (nëpërmjet ambasadave të tyre në Shkup) dhe Hungaria (Instituti Balashi nga Budapesti dhe Lektorati për gjuhë hungareze pranë Fakultetit filologjik "Bllazhe Koneski").
Gjatë shtatë ditëve të manifestimit të panirit do të ketë promovime të përditshme dhe lexim në Qendrën promovuese të galerisë në Arenën Metrolpolis.

Motoja panairit të sivjetëm është "Panairi i librit - panair për dashurinë ndaj fjalës së shkruar".
Panairi hapet çdo ditë në 10 deri dhe mbyllet në orën 20, ndërsa çmimi për biletë është 30 denarë dhe 20 denarë për vizita në grupe.

Mirëpo, botuesit nga Shqipëria nuk kanë shfaqur interes të madh për Panairin Ndërkombëtar të Librit në Shkup. Në këtë panair, ku kanë ngritur stendat e tyre mbi 70 shtëpi botuese, numri i botuesve shqiptarë është simbolik.

"Në këtë panair marrin pjesë 5-6 shtëpi botuese shqiptare. Shtëpitë botuese nga Kosova nuk janë prezente, kështu ka qenë edhe vitet e tjera. Mendoj se është një gjë shqetësuese sepse ky panair në Shkup duhe të jetë qendër ku takohen të gjitha shtëpitë botuese shqiptare dhe frekuenca e tyre të jetë sa më e madhe”, ka deklaruar Nehat Avziu, përfaqësues i shtëpisë botuese “Albas”, për mediet e Shqipërisë.
Botuesit nga Shqipëria, përveç ankesave për procedurat doganore, kanë vërejtje edhe për trajtimin jo të mirë në panairin e Shkupit.

“Pengesa e parë është dogana, e dyta është blerësi, a ka interes botuesi ta sjellë librin këtu nëse nuk i shitet. Problemi tjetër është edhe trajtimi, stendat tona janë në periferi, kurse ato të botuesve maqedonas janë në qendër dhe me lloj-lloj zbukurimesh dhe më të privilegjuara”, është shprehur Apostol Duka nga shtëpia botuese “Labova”.

Për të shtuar prezencën e tyre në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Shkup, përfaqësuesit e shtëpive botuese nga Shqipëria thonë se mund të ndihmojnë qeveritë e të dyja vendeve, duke bërë lehtësimin e procedurave doganore për kalimin e librit në kufi.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat