Instrumenti Cembalo është larguar nga Muzeu i Kosovës

Kultura

Instrumenti Cembalo është larguar nga Muzeu i Kosovës

Më: 8 prill 2014 Në ora: 09:40

Kur ishte negociuar prurja e instrumenteve për Filarmoninë Opera e Kosovës, Qeveria e Japonisë që është donator i këtij investimi, e kishte menduar që instrumenti Cembalo do të vendosej në Muzeun e Kosovës, dakordim ky që u pat bërë edhe me drejtorin e atëhershëm të këtij institucioni, Arbër Hadri. Por pas ardhjes së këtyre instrumenteve, Cenbalo nuk ishte instrumenti që i përshtatej ambientit të këtij institucioni kulturor, gjë për të cilën u desh të mendohej alternativa e radhës.
Arsyeja për vendosjen e këtij instrumenti në Muzeun e Kosovës, është veçantia e këtij instrumenti, vjetërsia e tij, ku ishte menduar që të shërbente si eksponat, por edhe të përdorej në raste të caktuara. Mirëpo, krejt në fund, sipas Baki Jasharit, drejtor i Filarmonisë Opera e Kosovës, është vërtetuar se kushtet në këtë institucion kulturor mungojnë për vendosjen e këtij instrumenti, dhe, pos kushteve ka munguar edhe ndërlidhja me eksponatet e tjera. “Ky instrument ka qëndruar afërsisht një muaj në ambientet e Muzeut të Kosovës”, ka thënë Jashari për KultPlus.

Ai ka treguar se partneret japonez kanë pasur dëshirë dhe kanë sugjeruar që kjo piano e vogël të vendoset në Muzeun e Kosovës. Mirëpo, sipas tij, kushtet e Qeverisë së Japonisë kanë qenë që këtij instrumenti ti përshtatet edhe temperatura, në mënyrë që të mos dëmtohet, sikurse edhe mbrojtja e tij nëpërmjet xhamave. Por, krejt këto kushte, sipas Jasharit i janë vënë menaxhmetit të vjetër të Muzeut të Kosovës, dhe menaxhmenti i ri më pas ka vlerësuar se ky eksponat nuk ka ndërlidhje me eksponatet e tjera, gjë për të cilën janë detyruar ta lëvizin instrumentin e vjetër me vlerë shekullore.

“Nuk është diçka serioze është vetëm çështje teknike e ndërrimit të vendit të një instrumenti”, ka thënë Jashari, i cili ka treguar për vendin e ri të këtij instrumenti.

“Tash Cembalo ka një vend strehim tjetër, është zhvendos në një shkollë të muzikës “Misbach and friends”, që gjendet në Prishtinë. Mua rastësisht mu kujtua shkolla e muzikës “Misbach and friends”, dhe së bashku me japonezet shikuam hapësirat e kësaj shkolle dhe pamë që kushtet e ngrohjes ishin goxha të përshtatshme, dhe vendosëm që nga muzeu ta zhvendosim tek shkolla e muzikës”, ka thënë Jashari, gjë për të cilën, sipas tij, janë shprehur të kënaqur edhe përfaqësuesit e qeverisë japoneze. Sipas tij në momentin që do të gjendet ndonjë alternativë tjetër instrumenti do të të zhvendoset.

Filarmonia e Kosovës tash e dy muaj është pajisur me instrumente të reja, donacion nga qeveria japoneze, që gjithsej janë 117 sosh. Instrumentet që kanë arritur tashmë në Prishtinë është menduar që të sistemohen në tri destinacione, në Filarmoninë Opera e Kosovës, në Sallën e Kuqe, dhe atë të Muzeut të Kosovës.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat