Hamami i Prizrenit hapet në muajin maj

Kultura

Hamami i Prizrenit hapet në muajin maj

Më: 6 prill 2014 Në ora: 09:02

Qyteti i Prizrenit është njëri nga qytet më të pasura të vendit sa i përket objekteve të trashëgimisë kulturore. Njëri prej objekteve me trashëgimi të vecantë kulturore në Prizren është edhe Hamami i qytetit, i njohur edhe si “Gizi Mehmed Pashai”.
Mehmed Pashai Hamamin e kishte ndërtuar me 1563-1574 dhe që nga atëherë ky objekt shtrihet në njërën nga pjesët më të bukura të Prizrenit.

Për KultPlus, drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren, Hasan Hoti, thotë se nga fundi i muajit maj të këtij viti ky objekt me vlerë kulturore do të hyjë në funksion dhe do të vazhdojë aktivitetet kulturore që janë zhvilluar edhe më herët.

“Pati filluar që të pikojë, të hyjë shiu e lagështia brenda, edhe muret patën filluar që të degradoheshin. Vite e vite me radhë kemi kërkuar fondacione nga ministria dhe qeveria në mënyrë që këtë objekt me vlerë kaq të madhe historike dhe kulturore ta mbrojmë sepse përndryshe për tu restaruar deri në fund ashtu edhe siç duhet nevojitet një shumë e konsiderueshme e të hollave” pohon Hoti, duke shtuar që kanë pasur fatin që përmes UNESCO është siguruar një shumë simbolike e mjeteve financiare dhe në këtë mënyrë është duke u bërë renovimi i jashtëm i Hamamit. Sipas Hotit aktualisht është duke u eleminuar degradimi i mëtutjeshëm, e është edhe duke u ndërruar kulmi në tërësi.
Hasan Hoti tregon që është bërë një projekt i detajizuar për restaurimin e Hamamit ndërsa sipas tij tani është duke u realizuar vetëm një pjesë të këtij projekti, sepse sipas tij nevojiten edhe mjete tjera për përfundimin e projektit.

“Hamami nuk guxon të degradohet. Ai do të mbetet përafersisht ashtu siç ka qenë pavarësisht që ka edhe disa devijime të vogla por qëllimi ynë është që ta renovojmë e t`ia ruajmë pamjen që e ka pasur” bëri të ditur për KultPlus Hoti.
Nga ana e KFOR-it gjerman më 2001 është bërë ndricimi i brendshëm i objektit. Orientalistja në këtë Institut, Mehdiha Fishekqiu, tha se objekti i Hamamit është objekt me vlera të larta kulturore.
“Për të vizituar Hamamin interesimi është shumë i madh si nga ana e shtetasve tanë mirëpo është edhe një numër i kënaqshëm i atyre nga vendet e ndryshme që duan të dijnë dhe të njoftohen më për së afërmi me Hamamin” tha Fishekqiu.

Hamami ka shërbyer vite më radhë dhe akoma vazhdon të sherbejë si një vend ku janë zhvilluar aktivitetet e ndryshme kulturore të Prizrenit, duke filluar nga ekspozitat, promovimet, koncertet e ndryshme, panairet e librave, panairet e zejeve të ndryshme etj.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës përbëhet prej dy hapësirave të përgjithshme, pjesa e meshkujve dhe ajo e femrave. Në anën jugore të objektit gjendet hapësira ose pjesa ekonomike , ku kanë qenë të vendosursa kazanet e ujit nëpërmjet të cilave janë shërbyer me ujë dhe me avullin e ngrohtë në tërë hapësirat e hamamit.

Struktura e ndërtimit të hamamit është guri , argjili i pjekur dhe materiali lidhës llaq gelqeror. Kupolat janë të ndërtuara me llaq gëlqeror, ndërsa mbulimi është bërë me plumb dhe qeramida tradicionale.
Gjer më 1958 pjesa e meshkujve sherbeu si qumështore por edhe për përpunimin e prodhimeve qumështore.

Ky Hamam për një kohë të gjatë ka qenë i lënë nën mëshirën e kohës, në këtë mënyrë edhe kishte filluar që të degradohej. Intervenimet e fundit të bëra në të kanë qenë në vitet e 60-ta.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat