Bukuritë natyrore të Kosovës përmblidhen në një libër

Kultura

Bukuritë natyrore të Kosovës përmblidhen në një libër

Më: 3 prill 2014 Në ora: 14:00

Bukuritë natyrore të Kosovës vijnë të përmbledhura në librin e Arben Islamit “Majestic - Kosova - Madhështore”. Në këtë libër kanë zënë vend fotografi të bjeshkëve të Rugovës, atyre të Junikut e Istogut, kurse libri përmban 200 faqe me ilustrime dhe përshkrime të bukurive të ndryshme natyrore të Kosovës .

“Ia kam arritur një qëllimi që është shumë me rëndësi për veten time si bjeshkatar”, ka thënë Islami të mërkurën mbrëma me rastin e promovimit të librit në “Hotel Sirius”, në Prishtinë. Sipas tij, bjeshkatarët janë “të trentë”, sepse kur duan të bëjnë diçka me të vërtetë e bëjnë.

“Kur duam të shkojmë në majën e malit, shkojmë”, ka thënë autori i librit ku paraqiten fotografi edhe fotografi të Bjeshkëve të Pashtrikut. Tek ka cilësuar se është duke u bërë shumë pak në promovimin e turizmit malor në Kosovë, Islami ka thënë se libri i tij do të kontribuojë goxha shumë në këtë aspekt.
“Ky libër do të ketë rëndësi të madhe për promovimin e turizmit në Kosovë”, ka thënë ai tek ka shtuar se nuk është i vetmi që po bën diçka për bjeshkët. Thotë se njëra ndër arsyet e tij kryesore që i ka hyrë kësaj pune është promovimi i bjeshkëve edhe për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, shumica e banorëve të Kosovës nuk i njohin këto bukuri.

“Fatkeqësisht bjeshkët e Kosovës nuk i njohin 90 për qind e qytetarëve. Kam dëshirë që t’i mësojnë dhe të mburren me to”, ka thënë Islami. Ideja për këtë libër i kishte ardhur vitin e kaluar kur kishte promovuar librin e parë me fotografi të bjeshkëve “Pure Kosova”. Sipas autorit të librit ku zënë vend edhe Ujëvarat e Mirushës, meqenëse libri i mëparshëm nuk ishte në shitje, ia ka mësyrë punës për ta bërë “Majestic - Kosova - Madhështore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat