“Nusja në thes” vjen së shpejti

Kultura

“Nusja në thes” vjen së shpejti

Më: 10 shkurt 2014 Në ora: 11:24

Komedia e realizuar nga regjisorja Elma Doresi i përshtatet mjaft realitetit shqiptar dhe flet për etjen e liderëve për pushtet dhe përfitime personale në kohën kur në popull mbretëron një gjendje e varfërisë së skajshme
“Nusja në thes” titullohet projekti më i ri teatror i regjisores së suksesshme shqiptare Elma Doresi i cili pritet të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit të Metropolit në Tiranë.
Shfaqja është realizuar bazuar mbi motivet e Hekuran Zhitit ndërsa teksti është punuar nga vetë regjisorja Elma Doresi dhe Devis Muka.

“Pas një rrugëtimi 60-të vjeçar,ata mbërritën në Teatrin e Metropolit...!"Nusja ne Thes",një komedi e bazuar mbi motivet e Hekuran Zhitit.....Situata, karaktere, energji, pantomime, spektakël.....Së shpejti në Metropol...” ka thënë regjisorja Elma Doresi teksa ka njoftuar për shfaqjen e saj të re përmes rrjetit social facebook.

Komedia i përshtatet mjaft realitetit shqiptar dhe flet për etjen e liderëve për pushtet dhe përfitime personale në kohën kur në popull mbretëron një gjendje e varfërisë së skajshme.

Ngjarjet zhvillohen diku në Myzeqenë e viteve 1920 ku Prefekti i cili ishte vendosur për të zbatuar me përpikëri detyrat si qytetar në shërbim të popullit, vendoset në shërbim të vetvetes duke abuzuar në dëm të popullit dhe duke kaluar çdo kufi të keqpërdorimeve. Një Prefekt që pasurohet dhe një popull që sa vjen dhe rrënohet më shumë. Një etje për pushtet dhe një “Uri” për të pasur gjithçka që e rrethon. Një njeri i cili nuk ngopet kurrë dhe asgjë nuk është e mjaftueshme për të.

Kulmi arrin kur Prefekti vendos të dërgojë për ushtarë sakatët dhe të përkrah njerëzit me pushtet dhe ata që mbushin xhepat e tij. Në këtë errësirë dhe rrugë pa dalje, shpëtimi i vetëm është Hëna ose ndryshe “Hakmarrja”, një personazh sa mistik aq edhe real, si vet emri i saj. Hëna që sapo është kthyer nga Parisi ku ka jetuar për vite me radhë, ndeshet me babëzinë e prefektit dhe varfërinë e popullit dhe vendos të hakmerret për të gjithë.. Por se a do t’ia dalë Hëna t`i ndalojë abuzimet e pushtetarit të kamur e të kalbur të Myzeqesë, kjo gjë do të mësohet në premierën e cila prite t të shfaqet së shpejti.

E tërë loja në këtë shfaqje bëhet nga kasta e aktorëve si Klea Huta, Devis Muka, Valina Muçolli, Klodian Hoxha, Ermela Ruri, Aldjon Matarangasi, Alban Musa, Lorenc Kaja./KultPlus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat