Kadare merr çmimin ‘At Zef Pllumi’ në publicistikë

Kultura

Kadare merr çmimin ‘At Zef Pllumi’ në publicistikë

Më: 21 dhjetor 2012 Në ora: 23:30

Ismail Kadare, Spartak Ngjela, Rudolf Marku e Zija Çela janë të parët që nderohen me çmimin “At Zef Pllumi”. Me iniciativën e komunës së Shëngjinit dhe të Universitetit Europian të Tiranës, u zhvillua në Shëngjin ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare “At Zef Pllumi”.

Juria e këtij edicioni të parë, e përbërë nga Blendi Fevziu, Preç Zogaj, Remzi Lani, Alfred Lela dhe Agron Gjekmarkaj, vendosën që këtë vit ky çmim t’u shkojë disa prej emrave më në zë të letërsisë dhe memoaristikës shqipe. Kështu, çmimi “At Zef Pllumi” në publicistikë iu dha shkrimtarit Ismail Kadare për veprën “Mosmarrëveshja”.

Në mungesë të vetë shkrimtarit, ky çmim u tërhoq nga botuesi i tij Bujar Hudhri, i cili gjithashtu përcolli edhe përshëndetjen e Kadaresë, por edhe një copëz kujtimesh nga takimet e dy burrave të mëdhenj. “Duke qenë shpesh i pranishëm në takimet e tyre, më janë ngulitur në mendje vetëm dy gjëra. Gëzimi që Kadare provonte sa herë takohej me At zef Pllumin dhe trishtimi që e njohu aq vonë At zef Pllumin”, tha Hudhri. Çmimi për memoaritsikën iu akordua avokatit Spartak Ngjela për librin me kujtime “Përkulja dhe rënia e tiranisë”.

Çmimi në prozë iu dha shkrimtarit Zija Çela për përmbledhjen me tregime dhe novela “Buza e kuqe dhe gjaku i errët”. Ndërsa për poezinë, çmimi iu akordua poetit Rudolf Marku për librin “Një ballkanas në Londër”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat