“The Voice of Albania 2” thyen rekordet

Kultura

“The Voice of Albania 2” thyen rekordet

Nga: Oliverta Lila Më: 7 tetor 2012 Në ora: 14:13

Sipari i edicionit të dytë u ngrit me një mbrëmje plot emocione. Zëra të mëdhenj, trajnerë që kërkojnë perfeksionin, por pa lënë mënjanë edhe humorin. Një sukses i rikonfirmuar i spektaklit të talenteve shqiptare. Autori Rezart Aga tregon risitë e strukturës

Garë, emocione, spektakël e mbi të gjitha zëra të mëdhenj. “The Voice of Albania 2” ngriti siparin mbrëmjen e së premtes me një shou të jashtëzakonshëm. Ata të katër, tashmë protagonistë të padiskutueshëm, u kthyen sërish. Elton Deda, Miriam Cani, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri janë më të motivuar se kurrë të gjejnë talentet shqiptare të muzikës. E nëse edicioni i parë i “The Voice” shënoi një ndër spektaklet më të ndjekura, nata e parë e “audicioneve të verbra” të këtij edicioni të dytë shënoi një tjetër rekord. Një rikonfirmim i suksesit dhe investimit të madh të këtij spektakli. Autori i programit, Rezart Aga, e sheh këtë si një fakt që i vë para përgjegjësisë të rritjes në çdo hap të këtij talent shou. “Ishte i dukshëm niveli i zërave që konkurrojnë për t’u bërë pjesë e ‘The Voice’. Shumica e tyre synojnë drejt perfeksionit dhe të gjithë e panë në natën e parë, që edhe të rinj që janë shkolluar për kanto nuk arritën dot ta kalojnë këtë nivel. Përveç atyre që ngjiteshin për herë të parë në skenë, ka zëra që kanë qenë pjesë e shumë aktiviteteve të tjera. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse tregon që e shohin ‘The Voice of Albania’ si një trampolinë të mirë për t’u afruar me publikun. Kjo vlen edhe për ata që janë pjesë e tregut muzikor, por nuk kanë pasur lançimin e duhur. Kur ne i pyesim se pse kanë marrë guximin të bëhen pjesë e këtij talent shou, tregojnë se e shohin si një eksperiencë unike mundësinë e të punuarit me këngëtarë dhe orkestër profesioniste e po ashtu në një studio me parametrat më të larta. Ata besojnë te zëri i tyre dhe vijnë të kërkojnë publikun”, tregon autori Rezart Aga. Disa prej tyre e kishin marrë rrugën nga shumë larg: Anglia, Suedia, Italia, por edhe nga Tetova, Struga etj. Trajnerët këtë vit kanë vendosur të mos tolerojnë. Butonat e tyre janë shtypur vetëm për zëra që kanë bërë diferencën. Në këtë pikë, këtë natë të parë, por edhe në tjerat që do të vijnë, po i bëjnë edhe sfidë njëri-tjetrit. Më spontanë, më me shumë humor, me këmbëngulje për të marrë më të mirët në skuadrat e tyre, katër trajnerët kanë treguar se janë një pjesë organike e këtij spektakli. “Riardhja e këtyre trajnerëve tregon se ata e kanë fituar simpatinë e publikut dhe janë në një simbiozë të mrekullueshme me njëri- tjetrin, e nga ana tjetër, janë profesionistë të vërtetë”, thotë Aga. Ata nuk i kanë kursyer dozat e humorit, duke treguar më shumë se anën profesionale. Bashkë me ta, në drejtim të “The Voice of Albania” ka qenë sërish Ledion Liço, por këtë radhë në një skenë të re. Kjo nuk është e vetmja risi. Autori ka menduar që struktura e këtij edicioni të dytë të jetë më dinamike dhe do t’i vendosë trajnerët para zgjedhjeve të vështira.

“Kemi sërish 17 javë transmetim, por ka ndryshuar ndarja e strukturës. Kemi 5 ‘audicione të verbra’, gjatë të cilave trajnerët zgjedhin zërat që do të bëhen pjesë e skuadrës së tyre. Audicionet do të pasohen nga ‘betejat’ që do të zgjasin për tri javë. Në këtë pikë fillojnë edhe skualifikimet e para. Nga 12 konkurrentë në çdo skuadër, çdo trajner do të zgjedhë të largojë 6 prej tyre. Në fakt kjo nuk do të thotë për ta një eliminim përfundimtar. Ne u kemi dhënë një shans. Secili nga trajnerët ka të drejtë të bëjë 2 blerje nga skuadrat e tjera. Nëse i pëlqen zëri i një konkurrenti të eliminuar, do të shtypin butonin, e nëse këtë e bën më shumë se një trajner, konkurrenti do të ketë mundësinë të zgjedhë dhe i jepet kështu një tjetër mundësi. Në fazën e tretë, të tetë konkurrentët e një prej trajnerëve do të ngjiten në skenë. Do të përballen me njëri-tjetrin, këtë radhë secili me nga një këngë të ndryshme që i lejon të zbulojnë zërin e do të përpiqen të fitojnë. Këtë herë trajneri do të zgjedhë kë do të mbajë. Në përfundim, katër i bie që të jenë të skualifikuar, por sërish njëri do të mund t’i rikthehet garës si një zgjedhje e trajnerit. Pesë konkurrentë nga çdo skuadër do të prekin ‘netët live’. Për pesë javë rresht do të mundohen të japin më të mirën, nga të cilat katër net janë gjysmëfinale dhe finalja e madhe. Çdo natë do të eliminohen katër konkurrentë, një për çdo skuadër. Nga eksperienca e vjetshme, ku në 9 javë live u duk sikur filluam të biem pak në përsëritje, vendosëm që strukturën ta bëjmë më interesante dhe më dinamike”, thekson Rezart Aga. Këtë edicion të dytë, ata që ngjiten në skenë nuk janë thjesht vetëm konkurrentë. Ata kanë një histori, tregojnë ëndrrat për skenën, por edhe se çfarë do të ishin të gatshëm të bënin në emër të pasionit për muzikën. Një histori që i tregohet publikut për t’i çuar më afër tyre, për të pritur me ankth nëse butoni do të shtypet e nëse karrigia do të kthehet. Trajnerët janë në kërkim të zërit, por edhe të atyre që janë të gatshëm “ta pushtojnë” skenën. “Përgatitja paraprake e ‘summer training’ i ka ndihmuar konkurrentët të zgjedhin këngët që u përshtaten më shumë, i ka bërë të ndihen më komodë me mikrofonin dhe më të sigurt në vetvete”, pohon Aga. Sondazhet tregojnë një shikueshmëri në rritje, e kjo krijon një efekt zinxhir në organizimin e çdo hapi më pas. Aga shprehet se do të bëjnë më të mirën për “betejat” dhe “netët live”. E ndonëse jo me buxhete e kapacitete njerëzore si në vendet e tjera ku ky spektakël organizohet, Rezart Aga shprehet se është një prapavijë e tërë profesionistësh që punon me pasion për këtë talent shou. Regjia televizive e këtij edicioni i është besuar Ergys Lubonjës, koncert maestër Dorian Gjoni, skenografia Fatmir Minga, për të vazhduar me shumë emra të tjerë që ngrenë në këmbë “The Voice of Albania”. Të premten e ardhshme të tjerë zëra e të tjera emocione. Duhet vetëm ta ndiqni!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat