“Rituali i jetës” nga Tirana emocionon publikun në Prishtinë

Kultura

“Rituali i jetës” nga Tirana emocionon publikun në Prishtinë

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 13:31

“Rituali i jetës”, shfaqja e mbajtur mbrëmë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, prej Trupës së Operas dhe Baletit nga Shqipëria, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, pjesë e festimeve të gjithë kombit në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Drejtori i Teatrit Operës dhe Baletit, Zhani Ciko shprehet se, “është ndërthurur me traditat tona, traditat shqiptare, por gërshetuar me modernen”.

“Në këtë shfaqje që është pritur shumë mirë nga publiku kosovar janë përdorur rite të ndryshme që janë mjaft të njohura edhe për kosovarët si: gjama, dasma, lindja, raporton BW.

‘Rituali i jetës’, bazohet në tre linja kryesore si: lindjen, dasmën dhe vdekjen”, shkruan shypi Prishtinës, duke theksuar më tej se, “shfaqja vjen si një zinxhir ritesh që fillojnë nga gjëma njerëzore, vdekja, për të kaluar më pas te dasma dhe në fund mjuzikli mbyllet me optimizmin e lindjes, për të dhënë mesazhin se jeta është e bukur”.

Me këtë rast të shfaqjes nga Tirana në Prishtinë, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka deklaruar se “ka një koordinim shumë të mirë mes dy ministrive të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë gjithë vitit jubilar, për veprimtaritë e festës së gjithë kombit” dhe se, “edhe në ditët në vazhdim, deri në 28 Nëntor do të ketë edhe disa aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me krijimtarinë kombëtare në film, pikturë dhe teatër”.

Në kuadër të veprimtarive të jubileut, një natë më parë në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në qytetin më të madh verior të Kosovës, mitrovicasit kanë parë shfaqjen “Dasma” të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, nga Prishtina.

Me këtë rast festimesh të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, drejtuesit e kulturës në Mitrovicë dhe publiku kanë përgëzuar Baletin Kombëtarë të Kosovës për punën e suksesshme 40 vjeçare, duke i dëshiruar rrugëtim edhe më të suksesshëm shekullor në realizimin e misionit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat