Artistët bëhen me vendtakim

Kultura

Artistët bëhen me vendtakim

Më: 17 janar 2019 Në ora: 11:52
Është inauguruar zyra për programin "Europa kreative", që do të shërbejë si vendtakim i artistëve e organizatave kulturore

Është inauguruar zyra për programin "Europa kreative", që do të shërbejë si vendtakim i artistëve e organizatave kulturore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka thënë se ky program do t'i forcojë sektorët kulturorë të Kosovës.

 "Evropa Kreative do t’u mundësojë mijëra artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë. Në këtë kuadër organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se programi gjithashtu  synon ta integrojë Kosovën në hartën kulturore të Evropës.

 'Kosova tashmë do të jetë në Europë përmes kulturës, artistëve e krijuesve të saj", ka thënë Gashi.

Kurse ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se ministria që ajo drejton tashmë do ta përkrahë edhe kulturën përmes këtij programi. Ajo tha se ky program do t'i mundësojë Kosovës të kyçet në rrjetet kulturore të Evropës.

"Diversiteti kulturor përbën bazën e bashkimit europian, dhe kështu Kosova duke u bërë pjesë e këtij programi, do të jetë më afër BE-së", ka thënë Hoxha.

Përndryshe, Kosova u bë pjesë e këtij programi në qershor të vitit 2018, me ç'rast ka paguar rreth 35 mijë euro për anëtarësim, dhe 80% e këtyre fondeve do t'i kthehen edhe në formë të granteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat