Masivi agro-pyjor “Gështenja e Tropojës” së shpejti Zonë e Mbrojtur - Bota Sot
Masivi agro-pyjor “Gështenja e Tropojës” së shpejti Zonë e Mbrojtur

Kukësi

E hënë, 18 qershor 2018

Masivi agro-pyjor “Gështenja e Tropojës” së shpejti Zonë e Mbrojtur

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 16:32

Ekosistemi i gështenjave të Tropojës, më i madh në Ballkan, që përbëhet nga një kultivar me vlerat më të larta bio-gjenetike të species Castanea Sativa europiane, që menaxhohet me një formë të veçantë të moderuar mes silvikulturës dhe agrokulturës, për specifiken e veçantë agro-silvikulturore, për statusin e këtij ekosistemi, për vlerat ekonomike, industriale, mjedisore, historike dhe kulturore, nga komuniteti i fermerëve është propozuar për tu shpallur “Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara”.

I kontaktuar nga ATSH, administratori i AdZM Kukës Besnik Hallaci, ku bënë pjesë edhe  Masivi agro-Pyjor i Gështenjës së Tropojës thotë se “pemët që përfaqësojnë vlerat e larta të kultivarit autokton  të këtij masivi gështenjash, gjenden në moshën e pjekurisë dhe të tejpjekjes, me gjendje biologjike të rënduar nga faktorët biotik dhe abiotik dhe për pasojë kultivari autokton i kësaj specie gjendet e kërcënuar për zhdukje”.

Ai thekson se “në këto kushte është e domosdoshme që këtij ekosistemi ti shtohet shkalla e mbrojtjes dhe përkujdesja teknike që ky ekosistem të ruhet si rezervë biologjike riprodhuese për të vijuar trashëgiminë gjenetike të këtij kultivari dhe trashëgiminë natyrore të ekosistemit”.

Image

Për të arritur deri në shpalljen Zonë e mbrojtur të  këtij masivi agro-pyjor, sqaron ai, po ndiqen procedurat e nevojshme ligjore në bashkëpunim me Bashkinë e  Tropojës për të sqaruar përfundimisht kufijtë e shtrirjes së këtij masivi.

Në këtë aspekt janë duke u verifikuar pronat dhe rreziku i mbivendosjes së tyre brenda masivit të gështenjave që do të shpallet Zonë e Mbrojtur.

”Me të përfunduar ky studim, do të nisin dhe procedurat ligjore për miratimin e kësaj Zone të mbrojtur” thotë Besniku. Masivi i Gështenjave të Tropojës, është dhe një atraksion për turistët e natyrës dhe vëzhgimit.

Për vitin 2017, në Luginën e Valbonës u futën rreth 120 mijë vizitorë të huaj dhe vendas, ku një pjesë e vizitorëve, kanë hyrë edhe në masivin e gështenjave.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996.  Konsiderohet si mrekullia e Alpeve.
Kufizohet me Parkun Kombëtar te Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit” së fundmi i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e biodiversitetit.

Image

 

Një nga arsyet përse Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, kërkon ta shpallë Zonë të Mbrojtur edhe këtë masiv, lidhet me turizmin dhe vlerat e tij ekonomike në rrethin e Tropojës dhe më gjerë.

Fruti i gështenjës gjithashtu, është edhe një vlerë e shtuar në ekonominë e zonës ku rritet, dhe ka një vlerë  tepër të rëndësishëm për eksportin shqiptar.

Specialistët e mjedisit në këtë zonë shprehen se ”do të bëjmë përpjekjet maksimale që ky frut, që konsiderohet i shenjtë për ne, të përpunohet edhe në Tropojë. Sepse është në interes të madh edhe të rritjes së punësimit edhe të rritjes së vlerës së këtij fruti në qoftë se do të përpunohet këtu në Tropojë”.

Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan, duke u shtrirë rreth alpeve përmbi qytetin e Bajram Currit, bjeshkëve deri në Dragobi dhe vijon me masivin e vargmaleve të Shkëlzenit deri në njësinë administrative të Lekbibajt.

Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2400 hektarë me rendiment mesatar rreth 40 kg për rrënjë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test