I akuzuari Valon Puka: Nuk e kam ditur që fotografimi me armë është vepër penale

Kronikë e zezë

I akuzuari Valon Puka: Nuk e kam ditur që fotografimi me armë është vepër penale

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 14:41
Gjykimi i Valon Pukës

Valon Puka i cili po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për armëmbajtje pa leje, deklaroi sot para gjykatës se nuk ka qenë në dijeni se mbajtja e armëve pa leje përkatëse paraqet vepër penale.

Puka i cili fillimisht ishte akuzuar edhe për xhirime të pa  autorizuara të veturës së Policisë, nga e cila akuzë kishte hequr dorë prokurori i rastit, deklaroi para gjykatës se arma me të cilën ai është fotografuar nuk ka qenë e tij, por vetëm e ka shfrytëzuar për të bërë një foto.

“Armën e kam pasur në posedim vetëm gjatë bërjes së fotos dhe aty prezent ka qenë G. P., i cili e ka marr prapë armën”, tha Puka.

“Unë nuk e pranoj fajin që e kam mbajtur edhe më parë armën, por vetëm 2-3 minuta sa e kam bërë një foto. Unë nuk e kam ditur që është vepër penale”, deklaroi i akuzuari Valon Puka.

Ndërkaq prokurori Ismet Tofaj, i propozoj gjykatës që në shqyrtim gjyqësor të dëgjohet edhe G. P., pasi i akuzuari Valon Puka deklaroi para gjykatës se arma ka qenë e tij (G.P.) dhe se ka qenë armë me leje, por vetëm e kishte marrë për të realizuar një foto.

Sipas aktakuzës, Puka një vit pas realizimit të fotos me armë, i njëjti duke qenë i inatosur me policinë që i kishte shqiptuar gjobë në komunikacion, kishte bërë incizimin e veturës së parkuar të Policisë dhe incizimin e kishte publikuar në Facebook.

Aktakuza shpjegon se në rrjetin social në linkun “Zyra e Ankesave”, i akuzuari Valon Puka publikon incizimin dhe shkruan kjo është “Policia e Kosovës”.

Seanca e radhës u caktua për muajin Nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat