Masakra në Resulaj: “Dorëzohu, hidh armën”, momentet e arrestimit. Si e futi policia vrasësin në ‘çark’

Kronikë e zezë

Masakra në Resulaj: “Dorëzohu, hidh armën”, momentet e arrestimit. Si e futi policia vrasësin në ‘çark’

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 09:09
Arrestimi i Ridvan Zykajt

Plot 500 efektivë të forcave të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në operacionin për kapjen e Ridvan Zykajt, 24-vjeçarit që vrau 8 persona pasditen e djeshme në fshatin Resulaj të Selenicës, të gjithë anëtarë të një familjeje, mes tyre dy të mitur. Burime zyrtare bëjnë me dije për “BalkanWeb” se operacioni është drejtuar dhe koordinuar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili ka qenë edhe vetë në terren.

Forcat e policisë ishin të reparteve FNSH, Delta, RENEA, policia e Vlorës, Orikumit, stacioni i Selencisë, Policia e Shtetit etj. Mësohet se gjatë operacionit janë përdorur kamera termike, dylbi nate, dylbi dite dhe qen gjurmimi. Por kështu nga ana e drejtuesve të operacionit janë porositur komandantët e grupeve që të bëjnë kujdes sepse autori ishte i armatosur. Policia ka përdorur edhe metoda përgjimi por autori e ka mbyllur telefonin pas orës 23:30.

Burimet thanë për “BalkanWeb” se kontrolli është bërë me dy skalione. Një grup ka qenë me perimetër të gjerë, shumë larg vendit të ngjarjes dhe grupi i dytë ka nisur kontrollin nga shtëpia ku ndodhi ngjarja drejt grupit tjetër, duke formuar kështu një rreth dhe më pas duke e mbyllur deri në kapjen e tij.

KAPJA
Ridvan Zykaj është konstatuar më dylbitë e ditës rreth orës 5 të mëngjesit. Nga policia i është bërë thirrje, “Dorëzohu hidh armën” dhe nuk ka pasur rezistencë nga ana e 24-vjeçarit. Ai ka qenë i fshehur mes shkurreve në periferi të Selenicës, ka hedhur armën dhe është dorëzuar.

Nuk ka folur asnjë fjalë dhe krejt i qetë ka pranuar arrestimin. Po kështu nuk ka shfaqur shenja pendese. Ndërkohë që u përfol se mund të kishte qenë i dehur, burime nga grupi i arrestimit bënë me dije se 24-vjeçari nuk kishte shenja të konsumimit të alkoolit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat