Rritet numri i femrave shofere të përfshira në aksidente

Kronikë e zezë

Rritet numri i femrave shofere të përfshira në aksidente

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 18:10
Ilustrim

Duke analizuar aksidentet gjatë muajit korrik dhe gusht, Policia Rrugore thotë se ka një numër “të evidentuar” drejtuese mjeti femra që janë përfshirë në aksidente rrugore më pasoja.

Kreu i Policisë Rrugore, Mithat Tola, tha se vetëm javën e fundit janë 8 drejtuese mjeti të konstatuara në gjendje të dehur, për të cilat ka filluar ndjekja penale.

Tola: Sa më sipër kërkojmë të rritet kujdesi nga kjo kategori drejtuesish mjeti gjatë drejtimit të mjetit, për të evituar shkeljet dhe për të parandaluar në maksimum aksidentet me pasojë jetën e tyre dhe të shtetasve të tjerë.

Gjithashtu, ai këshilloi që drejtueset femra duhet t'i japin makinës me këpucë të përshtatshme, "mospërdorimi mundësisht edhe i duhanit gjatë drejtimit të mjeteve, mos mbajtja e kafshëve shtëpiake në kabinat e autoveturave të tyre pa i siguruar, do të lehtësonte manovrueshmërinë më të mirë gjatë drejtimit të mjeteve dhe do të evitonte përfshirjen në aksidente".

Dy ditë më parë, një aksident i rëndë ndodhi afër Kamzës në Tiranë ky një vajzë e vogël 7 vjeçare dhe një 27 vjeçar që udhëtonte me biçikletë gjetën vdekjen pasi një automjet drejtuar nga një femër i përplasi ato në pjesën e ndarjes së rrugës. Gruaja shofere kishte shtypur gazin në vend të frenave duke shkaktuar përplasjen fatale.

Ndërkohë, nisur nga aksidenti i rëndë, i ndodhur në afërsi të “Urës së Kamzës” në datë 08.08.2018, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy persona të tjerë, pas një analize paraprake të shkaqeve të aksidenteve të ditëve të fundit, Policia Rrugore evidenton:

1.       Tejkalimi i normave të shpejtësisë së mjeteve brenda qendrave të banuara është një nga shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit të mjetit dhe premisë për tu përfshirë në aksidente rrugore;

2.       Përdorimi i aparateve celularë gjatë drejtimit të mjeteve, është një nga shkaqet kryesore të tërheqjes së vëmendjes nga drejtimi i mjetit, që shpie pastaj humbjen e kontrollit të tij;

3.       Qarkullimi i biçikletave duhet të bëhet në kujdesin më të madh. I kujtojmë drejtuesve të mjeteve, se drejtuesit e biçikletave dhe të çiklomotorëve nuk janë të mbrojtur nga “karkasa” metalike, sikundër mjetet, mjafton një pakujdesi e dyanshme dhe pasojat mund të jenë të rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat