Në gjykimin për vrasjen në Rahovec dëshmojnë vëllezërit e të akuzuarit

Kosova

Në gjykimin për vrasjen në Rahovec dëshmojnë vëllezërit e të akuzuarit

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 19:16
Foto nga Gjykimi

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi kryesor në rastin e Feriz Hotit, i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Feriz Hoti po akuzohet për vrasjen e Hamdi Jusufit, vrasje që ka ndodhur me 17 Maj të vitit të kaluar në Rahovec.

Në seancën e sotme dëshmuan dëshmitarët Isuf Hoti, Ramë Hoti – vëllezërit e të akuzuarit.

Paraprakisht gjyqtari i çështjes kishte dalë në vendin e ngjarjes, pasi që deklaratat e dëshmitarëve të parë nuk ishin në përputhje me ato në Polici.

Mbrojtësi i të akuzuarit Feriz Hoti, avokati Sefer Morina, i propozoi Gjykatës që t’i ndërpritet masa e paraburgimit të mbrojturit të tij në mungesë të provave materiale dhe e njëjta masë t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak.

Mirëpo gjyqtari Gzim Pozhegu e refuzoi një propozim të tillë.

Të pyetur nga prokurori Ali Uka se ku kanë qenë natën kritike dhe se a kanë dëgjuar të shtëna atë natë, të gjithë dëshmitarët deklaruan që kanë qenë në shtëpi dhe se nuk kanë dëgjuar të shtëna armësh.

Kurse, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Isuf Hoti tha se gjatë natës në ora 1:57 ishte zgjuar sepse kishte dëgjuar zërin e të ndjerit, kishte dalë dhe e kishte thirrur Policinë.

Ndërsa dëshmitari Ramë Hoti tha se ka dalë jashtë pasi që kishte dëgjuar një zhurmë dhe aty e kishte parë Policinë, të cilët i kishin thënë që ta identifikojnë viktimën dhe pas identifikimit ishte kthyer në shtëpi.

Seanca e sotme u shty për më 22 dhe 23 gusht, me qëllim që të dëgjohen edhe dëshmitarët Bajram Morina, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera të cilët gjenden jashtë shtetit.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit 2017, kur qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti, pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata vazhdojnë të ikin ai vazhdon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë./kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat