La gjithë ç’kishte për ndeshjet e Botërorit, i jep fund jetës babai i dy fëmijëve - Bota Sot
La gjithë ç’kishte për ndeshjet e Botërorit, i jep fund jetës babai i dy fëmijëve

Kronikë e zezë

E shtunë, 21 korrik 2018

La gjithë ç’kishte për ndeshjet e Botërorit, i jep fund jetës babai i dy fëmijëve

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 20:21
Florian Resuli

Një 35-vjeçar i dha fund jetës duke u vetëvarur në oborrin e kishës së fshatit të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës, kur familjarët e gjetën të riun pa jetë, shkruan “Panorama”.

Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se Florian Resuli është gjetur i vetëvarur rreth orës 05:00. Nga këqyrja paraprake e trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune të shkaktuara nga ndonjë faktor tjetër, çka është konfirmuar se kemi të bëjmë me një vetëflijim. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Burime nga grupi hetimor, të cilat i referohen të dhënave të siguruara deri më tani, konfirmuan se 35-vjeçari po kalonte një situatë të rënduar psikologjike për shkak të vështirësive ekonomike.

Babai i dy fëmijëve të mitur kishte rreth tre muaj që ishte zhvendosur në Tiranë me familjen. Ai punonte si gdhendës guri dhe mermeri dhe me ato të ardhura që fitonte mbante të gjithë familjen.

Mësohet se një ditë përpara ngjarjes që tronditi bashkëfshatarët e tij, ai ishte kthyer në fshatin e lindjes, ndërsa gruan dhe fëmijët i kishte çuar në shtëpinë e prindërve të saj. Miq të afërt të viktimës kanë konfirmuar se 35-vjeçari kishte krijuar varësi nga lojërat e fatit.

Së fundmi, ai ishte orientuar edhe drejt basteve dhe skedinave për ndeshjet e Kampionatit Botëror të futbollit, çka e kishin zhytur atë në borxhe për shkak të humbjeve të skuadrave që konsideroheshin si të sigurta në kalimin në fazën tjetër.

Dyshimet më të forta janë për humbjen e një sasie të madhe parash në skedinat e futbollit, që përkeqësuan gjendjen ekonomike të familjes. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Grupi hetimor ka nisur të marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e viktimës, si dhe personat që patën komunikim ditët e fundit, për të zbardhur motivet e vërteta që mund ta kenë shtyrë atë drejt vetëvrasjes. Po kështu, po bëhet edhe verifikimi i komunikimeve të tij përmes aparatit celular.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test