I moshuari i bëhet “rrodhe” farmacistes në Tiranë, derisa vajza pëson një trompozë

Kronikë e zezë

I moshuari i bëhet “rrodhe” farmacistes në Tiranë, derisa vajza pëson një trompozë

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 18:02
Ilustrim

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg një 70-vjeçar, pasi është kthyer në makth për një farmaciste.

Bëhet fjalë për shtetasin Jorgo P., i cili ka përndjekur për një kohë shumë të gjatë një farmaciste.

Ngjarja ka ndodhur vitin që shkoi, ndërsa vendimi i Gjykatës është dhënë së fundmi. Për shtetasin Jorgo P., ka bërë tri kallëzime farmacistja e identifikuar me inicialet B.R. Sipas vendimit të Gjykatës, siguruar nga “Panorama”, kallëzuesja me shtetasin Jorgo P. është njohur në farmaci, pasi ka qenë pacient dhe vinte aty për të matur tensionin dhe diabetin. Problemet me shtetasin Jorgo P. kanë filluar në muajin korrik të vitit 2017.

Ky shtetas ka shkuar brenda në farmaci dhe i ka thënë: “Nuk të vjen turp që ti mendon se unë të ngacmoj”. Ajo është shtangur nga kjo bisedë dhe që nga ajo ditë ai i ka ardhur përditë përpara farmacisë duke e sharë, ofenduar apo kërcënuar me fjalë nga më të ndryshmet dhe më pas ka filluar ta përndjekë gjatë gjithë rrugës, nga puna deri te stacioni i autobusit duke i kufizuar lirinë. Jorgo P. e ka përndjekur rregullisht që nga muaji korrik i vitit 2017, por farmacistja në fillim ka menduar se ky shtetas ka probleme mendore.

Në muajin gusht, kallëzuesja ka qenë e shtruar në Spitalin QSUT Nënë Tereza në Repartin e kardiokirurgjisë, pasi ka pësuar një trombozë venoze nga stresi që i ka sjellë i pandehuri Jorgo P.

Ajo ka thënë në gjyq se ka munguar rreth 2 muaj në punë për shkak të sëmundjes dhe në këto momente ajo vazhdon të mjekohet me ilaçe. B.R. ka deklaruar se Jorgo i di emrin e nënës së saj, babait të saj, adresën e banimit ku ajo jeton, emrin e të fejuarit të saj, emrin e nënës dhe të babait të të fejuarit.

Sipas B.R., Jorgo di çdo gjë rreth familjes së saj, madje edhe ku kanë punuar dhe punojnë prindërit e saj dhe ku punon i fejuari i saj, të cilin e quan “dashnori” dhe ku këtij të fundit i ka shkuar edhe në punë dhe ka dashur që ta takojë.

I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Jorgo P. e ka pranuar faktin penal, por ka thënë se me shtetasen B.R. ka pasur probleme të mëparshme, për të cilat ai kërkoi të falur, ndërsa theksoi se që nga data 10.11.2017 deri më sot, ai nuk ka kryer asnjë veprim që ka cenuar të drejtat e kallëzueses.

Në gjyq ka dëshmuar edhe vajza e të pandehurit, e cila ka pranuar se babai i saj ka një karakter të vështirë, ndaj edhe jeton vetëm. Në fund, Gjykata vendosi ta dënojë me 1 vit burg të moshuarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat