Dënohet Granit Elshani për sulmin në diskotekë në Pejë

Kronikë e zezë

Dënohet Granit Elshani për sulmin në diskotekë në Pejë

Më: 30 maj 2018 Në ora: 15:01
Ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor Granit Elshanin në gjykimin për një incident të fillimit të vitit 2010 në një diskotekë të këtij qyteti.

Gjykata atij i ka shqiptuar dënimin prej 25 vitesh burg.

Shqyrtimi gjyqësor ndaj Granit Elshanit kishte përfunduar javën e kaluar, pas dhënies se fjalës përfundimtare nga palët në procedurë, kurse trupi gjykues kishte bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit do bëhet më 30 maj.

Anëtari i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, Graniti, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se më 2 janar të vitit 2010 ishte futur në diskotekën “City Club” në Pejë me qëllim për ta privuar nga jeta për motive të hakmarrjes anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin.

Si pasojë e këtyre të shtënave që ndodhën natën e dytë të vitit 2010 në ketë diskotekë të Pejës u vra një person dhe u plagosen tre të tjerë, ndër ta edhe Valdet Kelmendi.

Fjala përfundimtare e përpiluar nga prokuroria u lexua në gjuhën shqipe nga përkthyesit, ku ndër të tjera u tha se Granit Elshani duhet shpallur fajtor si autor i vrasjes se Besart Shabit dhe plagosjen e tre personave tjerë.

Tutje, sipas fjalës përfundimtare të prokurorit të EULEX-it, ka prova të mjaftueshme që argumentojnë fajësinë e Elshanit për incidentin e ndodhur natën e 2 janarit të vitit 2010.

Prokurori i EULEX-it kishte kërkuar nga trupi gjykues që Granit Elshanin ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë atë me dënimin maksimal.

Në anën tjetër, mbrojta gjatë fjalës përfundimtare tha se aktakuza ishte ngritur në bazë të paragjykimeve e jo të provave.

Avokati i parë i Granit Elshanit, Ndrec Dodaj, tha se i mbrojturi i tij duhet të shfajësohet nga akuzat sepse, sipas tij, as në aktakuzë e as gjatë shqyrtimi gjyqësor nuk është vërtetuar me ndonjë provë fajësia e tij.

Dodaj tha se asnjë nga dëshmitarët okular nuk e kanë identifikuar Granit Elshanin si person që kishte shtënë me armë brenda lokalit në drejtim të Valdet Kelmendit dhe Besart Shabit.

Ai po ashtu kërkoi nga trupi gjykues që mos t’i falet besimi deklaratës së Xhevdet Kelmendit, i cili kishte deklaruar para trupit gjykues se Granit Elshani ishte personi që kishte shtënë me armë natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club”.

Kurse avokati i dytë i Granit Elshanit, Bujar Berdynaj, tha se aktakuza është ngritur në bazë të pohimit e jo të provave, dhe se prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë asnjë pohim.

Trupi gjykues tha se shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti ka përfunduar dhe se shpallja e aktgjykimit do bëhet me 30 maj të këtij vitit.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte qenë Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Kallxo ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti. Raportimet mund t’i lexoni në këtë link.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat