Përgjimet ndaj Jaeld Çelës, Habilajt, urim për Vitin e Ri

Kronikë e zezë

Përgjimet ndaj Jaeld Çelës, Habilajt, urim për Vitin e Ri

Më: 16 mars 2018 Në ora: 14:48
Jaeld Çela

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua dje seanca për të shqyrtuar ankimimin e bërë nga  ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, nëpërmjet avokatit të tij Petrit Ismaili, për zgjatjen e afatit të hetimit të dosjes së tij. Çela është shpallur në kërkim si i implikuar në dosjen “Habilaj”, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve, dyshohet se ata me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë ndihmuar në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike. Për të dhe dy ish-zyrtar të tjerë të policisë së Vlorës, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode mandat arresti është lëshuar në nëntor të 2017-ës, por për shkak se ata janë arratisur, urdhri nuk është ekzekutuar ende.

Kujtojmë se gjatë muajit janar të këtij viti, Krimet e Rënda e zgjatën afatin hetimor të dosjes së Jaeld Çelës me tre muaj, dhe do të ishte pikërisht ky vendim, që do të bënte të “gjallë” ish-drejtorin e Policisë, i cili me anë të avokatit të tij kundërshtoi kërkesën e bërë nga prokuroria dhe pranuar nga gjykata. Në lidhje me vendndodhjen e tij, nuk ka asnjë të dhënë edhe pse disa kohë më parë u përfol se ai mund të ishte në Panama, por këto dyshime nuk janë konfirmuar ende nga organi i akuzës. E ndërsa, në seancën e djeshme prokuroria i qëndroi kërkesës së bërë dhe miratuar edhe nga Gjykata më herët, asaj të zgjatjes së hetimeve, avokati i Jaeld Çelës, Ismaili, është shprehur para gjykatës se kërkesa është e pabazuar dhe se ata nuk janë njohur me aktet.

Por këtij pretendimi prokurori i çështjes i ka kthyer përgjigje duke i thënë se nuk janë në momentin e njohjes së provave. Por sipas avokatit, klienti i tij nuk mund të akuzohej për “kultivim dhe trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” vetëm se ka marrë një mesazh urimi nga njeri prej vëllezërve Habilaj. Ndërsa gjatë seancës së zhvilluar paraditen e djeshme, e cila zgjati rreth 1 orë, kanë dalë në dritë detaje të reja në lidhje me hetimet e zhvilluara dhe cilat janë arsyet e implikimit të ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Ky i fundit dhe dy ish-zyrtarët e tjerë akuzohen si të përfshirë në trafikun e drogës në bashkëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj, të zbuluar nga hetimet e autoriteteve italiane, nëpërmjet përgjimeve të kryera, ku në to doli edhe emri i ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ky i fundit është ende nën hetim nga organi i akuzës. Gjatë seancës së djeshme prokurori i çështjes, Dritan Prençi, argumentoi para gjykatës se pse vendimi i marrë në Janar të lihej në fuqi. Sipas tij, hetimet në lidhje me rastin vazhdojnë, ndërsa janë duke u bërë verifikimet e përgjimeve të kryera përreth dy vite. Nga viti 2015 dhe deri në vitin 2017. Më tej Prençi shtoi se akuza është në pritje edhe të dy letër-porosive të dërguara në Greqi dhe Itali në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për këtë rast. “Hetimet për çështjen vazhdojnë prej kohësh, e ndërsa ne kërkojmë që afati i hetimeve të shtyhet me 3 muaj, pasi janë duke u bërë verifikimet dhe transkriptimet e disa përgjimeve të kryera gjatë dy viteve, 2015 deri në 2017-ën. Gjithashtu janë dërguar dy letër-porosi, një në shtetin grek dhe një në atë italian. Jemi duke pritur përgjigjen e autoriteteve të dy vendeve.”-tha prokurori Dritan Prençi. Ai më tej shtoi se janë duke u bërë dhe analiza e telefonatave mes tyre, pasi sipas tij, të pandehurit kanë pasur disa telefona dhe po bëhet verifikimi i tyre. Pra me këto argumente, prokurori kërkoi që të rrëzohej kërkesa e bërë nga mbrojtja.

E ndërsa, pas përfundimit të seancës ka folur për mediat avokati i Jaeld Çelës, Petrit Ismaili, sipas të cilit deri më tani  nuk  u  është vënë në dispozicion as vendimi i masës së sigurisë, duke e cilësuar çështjen si  të paragjykuar  dhe te fryrë politikisht. “Problemi është se ai nuk është në dijeni për çfarë akuzohet, ne nuk jemi njohur me faktet. Nëse do të njihet, patjetër që do të vihet në dispozicion të drejtësisë. Janë duke u transkriptuar përgjimet telefonike të Jaeldit dhe grupit Habilaj për të parë implikimin e tij lidhur me akuzat. Klienti im dhe çështja ndaj tij po paragjykohet politikisht. Nuk mund te implikohet për një mesazh urimi që ka marrë për Vitin e Ri në 2016. Nga zhvillimi i gjykimit jo vetëm ne nuk jemi vënë në dijeni, por edhe gjykata nuk është vënë në dijeni dhe për këtë u shty edhe gjyqi ditën e sotme.”-tha avokati Petrit Ismaili. Kështu seanca u shty nga gjykata për në datën 19 mars, kur do të jepet edhe vendimi përfundimtar nëse do të pranojë apo jo kërkesën e mbrojtjes.

Në kërkim

Së bashku me Jaled Çelën, në kërkim për të njëjtën çështje janë shpallur edhe dy ish-zyrtar të tjerë të policisë së Vlorës. Urdhër-ndalimet e tyre janë lëshuar në Nëntor të vitit të shkuar, ndërsa ende nuk janë ekzekutuar, pasi këta persona i janë larguar drejtësisë. Më konkretisht, Jaeld Çela, ka qenë ish- drejtori i Policisë së Vlorës, me gradën Drejtues i Parë dhe ka një karrierë të pasur policore, prej më tepër se 17 vitesh. Më së shumti ai ka punuar si oficer i Antidrogës dhe krimeve në nivelin bazë, ndërsa në vitin 2009 është emëruar specialist i hetimit pranë Drejtorisë së Antikrimit në Policinë e Shtetit, në sektorin e Antidrogës.

Në 2013-ën u emërua Zëvendësdrejtor i Policisë së Durrësit, funksion që e mbajti deri në mesin e viti 2015. Në këtë kohë ai u emërua Drejtor i Policisë Vendore të Vlorës, detyrë që e ka mbajtur deri në Prill të këtij viti. Zyrtari tjetër i policisë i cili ndodhet në arrati është, Sokol Bode, ai u emërua komandant i postës së kufirit në Dhërmi të Vlorës në vitin 2014, detyrë që e mbajti deri në qershor të vitit që lamë pas, kur edhe u shkarkua. Ai u bë i njohur pas publikimit të fotove, në të cilat shihet në krah të Moisi Habilajt. Ky i fundit njihet si kreu i grupit të strukturuar kriminal, i kapur nga autoritetet italiane. Gjergj Kohila, ka kryer funksionet e shefit të hetimit të krimit të organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës prej fillimit të vitit 2015 ndërsa u shkarkua në qershor të vitit të shkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat