Trafik spektakolar i drogës në Spanjë, serbët dhe shqiptarët me helikopterë

Kronikë e zezë

Trafik spektakolar i drogës në Spanjë, serbët dhe shqiptarët me helikopterë

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 16:21
Ilustrim

Pas një hetimi gati 1-vjeçar u shkatërrua një bandë e trafikut ajror të lëndëve narkotike, e cila kryente fluturime spektakolare në Spanjë.

Në përfundim të operacionit 18 persona përfunduan në pranga, mes të cilëve një ish-pilot i Forcave Ushtarake serbe dhe disa mekanikë kosovarë që kishin modifikuar avionët për transportimin e mbi 900 kilogramëve hashash.

Historitë

Hetimi mbi rastin nisi në shkurt të vitit 2017, dhe në përfundim të operacionit u arrestuan 18 persona. Në fund të tetorit të vitit të shkuar një helikopter me ngjyrë të zezë dhe pa drita, u përplas në Villablanca, provincë e Huelvas në Spanjë.

Për pasojë humbi jetën piloti dhe i vetmi pasagjer, që më vonë u identifikua përmes ADN-së se ishte shtetasi kolumbian Santiago Fernández Ruiz. Ai ka qenë një pilot me përvojë të gjatë në Air Force në vendin e tij.

Prej vitesh ai transportonte hashash nga Maroku në Spanjë dhe shpesh kryente manovra spektakolare duke i shpëtuar helikopterëve të Gardës Civile. Thuhet se në një rast ai ia doli t’i shpëtojë policisë pas uljes, duke gjarpëruar mes livadheve dhe shtëpive të banimit. Agjentët që e ndoqën atë mbetën të shtangur, duke e konsideruar si pilotin më të mirë të helikopterëve që ata kanë parë ndonjëherë.

Por ai nuk ishte i vetmi ish-oficer i huaj që i ishte përkushtuar fluturimeve me natyrë narkotike. Garda Civile ka arrestuar kohët e fundit një pilot serb, ish-anëtar i Forcave të Armatosura në vendin e tij, i cili ishte anëtar i një prej organizatave më aktive në dërgimin e drogës nga Maroku në Spanjë.

Sikundër kolumbiani edhe serbi kishte një jetë që merrej me pilotime. Është 60 vjeç dhe numëron mijëra orë fluturime. Thuhet se ballkanasi mundej të fluturonte nëpër zona të ngushta me shpejtësi maksimale, duke drejtuar një helikopter pa drita, ku për të parë natën përdorte një palë syze.

Garda Civile e ndaloi atë në fillim të dhjetorit, ndërsa po ulej në një fermë në Las Cabezas de San Juan, së bashku me dy persona të tjerë që prisnin të shkarkonin mallin. Helikopteri që pilotonte ai ishte një Bolkow-105, që organizata e kishte blerë në Gjermani për gjysmë milioni euro. Mjeti ishte modifikuar nga disa mekanikë kosovarë, të cilët e kishin përshtatur në mënyrë që të mbante ngarkesa më të mëdha.

Mësohet se pajisja mund të mbante deri në 900 kg hashash, që paketohej në mënyrë të përsosur, dhe ngarkesa ishte e papërshkueshme nga uji, në rast do të rrëzohej mbi det.

“Është shumë e vështirë për të zbuluar fluturime të tilla, sepse pilotët kanë përvojë, fluturojnë në lartësi të ulëta, mbajnë syze të natës dhe janë shumë të shpejtë”, shpjegoi kapiteni Ernesto Segura Iglesias, shef i ekipit të Policisë Gjyqësore të komandën e Seviljes, në një konferencë për mediat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat