Një aksident i rëndë ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 në autostradën Durrës-Tiranë, pa shkuar në Maminas. Një makinë tip “Benz” me targa AA 060 SP është përplasur me mjetin taksi me targa DR 475 TX.
Për pasojë kanë ndërruar jetë drejtuesi i taksisë, B. A., 60 vjeç, banues në Durrës dhe pasagjerja E. A., 23 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga veprimet paraprake dyshohet se mjeti “Benz” e ka përplasur nga mbrapa taksinë dhe kjo e fundit për të devijuar është futur në një karburant.
Në makinën tip “Benz” nuk është gjetur asnjë person.
Në vendngjarje shkuan efektivët e policisë, të cilët po punojnë për gjetjen e drejtuesit të mjetit “Benz” dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.