Nuk janë dashur më shumë se katër minuta për të vjedhur dy kasaforta në njërën ndër zyrat postare të qytetit të Rrëshenit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure. 4 persona të maskuar kanë hyrë në zyrat e postës dhe kanë marrë me vete dy kasafortat.
Të pajisur me maska e doreza, grabitësit janë fokusuar nga kamerat por për shkak të kamuflimit, do të jetë e vështirë që të identifikohen.
Hajdutët i kanë ngritur peshë kasafortat dhe më pas i kanë transportuar në një makinë që i priste jashtë ambienteve të postës.
Pavarësisht grabitjes “blic” kasafortat nuk kanë patur asnjë sasi parash, por vetëm një sasi të madhe pullash postare e kupona pasaportash.
Grabitësit e kanë kuptuar shumë vonë që vjedhja e tyre i ka shkuar dëm dhe i kanë hedhur kasafortat në afërsi të Milotit. Policia ka nisur hetimet për të gjetur dhe identifikuar autorët.