Tregu i Maqedonisë përplot me mallra nga Shqipëria

Kronikë e zezë

Tregu i Maqedonisë përplot me mallra nga Shqipëria

Më: 5 janar 2018 Në ora: 09:29
Ilustrim

Krahasuar me vitin 2016, këmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë gati është barazuar, pasi 10 muajt e parë të këtij viti – nga Maqedonia në tregun e Shqipërisë janë eksportuar mallra në vlerë prej 53.894.015 euro, ndërsa Maqedonia nga Shqipëria ka importuar mallra në vlerë prej 52.117.642 eurove.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, këmbimi tregtar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë nga muaji janar e deri në fund të muajit tetor të këtij viti ka arritur shifrën prej 107.551.657 euro, duke krijuar kështu një suficit tregtar prej mbi 1 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave, eksporti i mallrave të Maqedonisë në tregun e Shqipërisë në 10 muajt e parë të vitit 2017 ka vlerën prej 53.894.015 euro, ndërsa mallra shqiptare në tregun e Maqedonisë për vitin e kaluar janë importuar 52.117.642, apo për mbi 1 milionë euro Shqipëria më shumë ka blerë mallra nga Maqedonia sesa ka shitur.

Ndryshe, Maqedonia në Shqipëri eksporton prodhime ushqimore (konservuese) dhe metalike, kurse nga Shqipëria importojmë kryesisht pemë dhe perime të hershme, çimento dhe disa produkte të tjera. Derisa Shqipëria po rrit importin e mallrave drejt Maqedonisë, Kosova – edhe pse si shtet shumë më afër Maqedonisë, vazhdon të ketë deficit shumë të lartë sa i përket këmbimit tregtar. Për 10 muajt e parë, këmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, sipas të dhënave të ESHS-së, ka arritur shifrën prej 192.393.281 euro, duke i krijuar kështu Maqedonisë një suficit prej 136.837.099 milionë euro.

Numrat e ESHS-së tregojnë se, përfundimisht me muajin tetor të këtij viti, Maqedonia në tregun e Kosovës ka eksportuar mallra në vlerë prej 136.837.099 milionë euro, ndërsa nga Kosova ka importuara mallra në vlerë prej 28.293.091 euro. Edhe pse Kosova llogaritet si treg më i madh që shiten mallra nga Maqedonia, krahasuar me të dhënat e pesë viteve të fundit – Maqedonia dërgonte mallra në Kosovë në shifrën deri më 300 milionë euro brenda një viti. Tani, Maqedonia ka përgjysmuar importin e mallrave në tregun e Kosovës.

Ndërsa këmbimi tregtar i përgjithshëm i Maqedonisë me vendet e tjera është 10.9 miliardë dollarë në periudhën janar-tetor të vitit 2017. Sipas të dhënave të ESHS-së, eksporti është 4.658 miliardë dollarë dhe shënon rritje prej 16.9 për qind, ndërsa importi arrin 6.246 miliardë ose 12.2 për qind më shumë. Deficiti tregtar është 1.588 miliardë dollarë.

“Këmbimi tregtar tregon se më shumë janë eksportuar katalizatorë të bartësve me materiale të çmuara ose komponimet e tyre, seta të telave për ndezje, për automobila, aeroplanë dhe anije, feronikel dhe veshje. Në import më të përfaqësuara janë platina dhe legurat e platinës, të papërpunuara ose pluhur, vajrat e naftës dhe vajrat e marra nga minerale bituminoze (përveç lëndët e para), metale tjera nga grupi i platinës dhe legurëve të saj, të papërpunuara ose në formë të pluhurit dhe energjia elektrike”, thekson ESHS.

Në periudhën janar-tetor të vitit 2017, sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit, Maqedonia më së shumti ka tregtuar me Gjermaninë, Britaninë, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat