Arrestohet shoferi i kamionit, shkaktoi aksidentin ku humbi jetën gazetarja e Klan

Kronikë e zezë

Arrestohet shoferi i kamionit, shkaktoi aksidentin ku humbi jetën gazetarja e Klan

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 20:27
Erinolda Isufaj

Policia e Lushnjes arrestoi drejtuesin e kamionit që shkaktoi aksidentin me vdekje në rrugën Lushnje – Berat. Në këtë ngjarje humbi jetën gazetarja e emisionit “Stop” në TV Klan dhe u plagosen tre pjestarë të familjes së saj.

Një parakalim i shpejtë në një kohë kur ngarkesa e kamionit ishte me tonelata mermeri, është çmenduri. Por jo për 41-vjeçarin Bashkim Pula, i cili nuk mori parasysh asgjë. Ai tashmë ndodhet në qeli, Policia e Lushnjes i vuri prangat.

Në një segment në të cilin duhej të ishte me 40 km në orë, ai manovroi me 60 km në orë. Frenoi kur pa makinën përballë dhe në atë kohë nga karroceria e kamionit u shkëput guri i mermerit.

Kjo manovër e gabuar shkaktoi aksidentin tragjik të shtunën në rrugën Lushnje-Berat, pranë fshatit Çiflik. Guri ra në rrugë dhe më pas në mjetin tip “Peugeot” me të cilin po udhetonte drejt Skraparit familja Isufaj.

Gazetarja e emisionit “Stop” në TV Klan, 24-vjeçarja Erinolda Isufaj e cila ndodhej në sediljen e pasme ndërroi jetë rrugës për në spital. Kurse prindërit e saj Shkëlqim dhe Dituri Isufaj, 51 e 50 vjeçe dhe dhëndri i tyre Marko Idrizi 29 vjeç, ndodhen në spitalin e traumës në Tiranë.

Makinat ishin ballë për ballë dhe Pula transportonte dy blloqe gurësh mermeri, nga Berati në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat