Rrëfehet babai i autorit që vrau gruan sot në Pogradec: Jetonin me 3 mijë lekë, vetëm grindeshin

Kronikë e zezë

Rrëfehet babai i autorit që vrau gruan sot në Pogradec: Jetonin me 3 mijë lekë, vetëm grindeshin

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 18:45
Babit i autorit te vrasjes ne Pogradec

Fshati Blacë i Pogradecit u trondit mëngjesin e kësaj të diele nga një krim makabër, i ndodhur në familjen Mekolli.

Rreth orës 08:30 të mëngjesit, për arsye ende të panjohura, Bashkim Mekolli vrau me sqepar dhe thikë gruan e tij 49 – vjeçare, Demirkë Mekolli.

Çifti, i martuar prej rreth 18 vitesh, jetonte në shtëpinë e babait të autorit dhe ishin të pa punë.

Vetë babai i Bashkim Mekollit, pak orë pas krimit, duke folur për gazetarët rrëfeu se çifti i bashkëshortëve kishin patur grindje prej kohësh.

Ai tha se i biri 49 – vjeçar vuante nga depresioni dhe merrte ilaçe për këtë. Madje i moshuari shpjegoi se ai kishte ardhur në Tiranë për t’u shtruar, por mungesa e një karte shëndeti dhe sigurimeve shoqërore, kishte bërë që të kthehej mbrapsht vetëm me ilaçe.

“Prej kohësh vuante nga depresioni, prej shumë vitesh. Para dy muajsh, me rekomandimin e mjekut të fshatit vajti në Tiranë u vizitua. Donte të shtrohej, por nuk kishte kartë shëndeti dhe sigurime shoqërore.  Mori barnat, i përdor për dy muaj.

Ai nuk jetonte me mua, unë jetoj vetëm dhe bashkëshortja më ka vdekur ka 14 vjet. Ai ishte në një shtëpi të braktisur andej, por prej një viti jetonte në shtëpinë time, i lëshova unë një dhomë, bashkë me të shoqen”.

Kur pyetet sesi ndodhi ngjarja, Babai i Mekolli shprehet:

“I gërricur ka qenë gjithmonë, me depresion ka qenë gjithmonë”.

Babai i 49 – vjeçari rrëfen edhe sesi e mori vesh krimin që kishte kryer i biri.

“Në mëngjes sa piva kafen dola në rrugë takova tim vëlla dhe vetëm kur erdhi nusja e nipit, hajdeni tha. Ai e kishte goditur me sqepar nga prapa. Kur erdha unë e gjeta me sqepar në dorë dhe thikën në dorë.

Në shtëpi nuk kishte asnjë njeri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 gjysmë të mëngjesit”.

Më tej, ai zbulon dhe gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ata jetonin.

“Jetonin vetëm me një asistencë dhe vetëm grindeshin. Vetëm me një asistencë jetonin, rreth 30 mijë lekë. Aktualisht e ndihmoja unë. Kur erdhi, e ndihmoja me pensionin tim, unë i ndihmoja me të ardhura”.

“Vetëm sherr e shamatë kishin, unë mendoj se ai ishte shumë me depresion, shumë agresiv, grindeshin gjithmonë. Nëse do të ishte shtruar dhe kuruar atje mund edhe të qetësohej. Nuk ishte shtruar në spital, vetëm se kurohej me ilaçe të depresionit“, rrëfen më tej babai i 49 – vjeçarit.

Çifti Mekolli kishte një djalë, rreth 16 – vjeç, i cili jeton në Itali. Në momentin e krimit, në shtëpi nuk ndodhej njeri tjetër. Bashkim Mekolli u arrestua pas krimit dhe pritet që dëshmia e tij të zbardhë dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat