Në këmbë drejt Greqisë, si u arrestuan tre shqiptarët ngarkuar me kanabis

Kronikë e zezë

Në këmbë drejt Greqisë, si u arrestuan tre shqiptarët ngarkuar me kanabis

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 19:12
Ilustrim

67 kilogramë kanabis u sekuestruan nga policia shqiptare në bashkëpunim me atë greke, ndërsa tre shqiptarë ranë në pranga. Arrestimi i tyre u bë në vendin e quajtur Asproklisi të Igumenicës.

Policia njofton zyrtarisht se operacioni nisi pak pas mesnate nga Policia Kufitare e Sarandës, Livadhjasë e Qafë Botës.

Policia konstatoi tre persona të ngarkuar me çanta që po lëviznin në drejtim të Konispolit  në sektorin e  Piramidave 67-68 . Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të tre personave.

Ndërkohë është njoftuar menjëherë Policia e Igumenicës Greqi, në lidhje me situatën ku duhej ndihma e Policisë Greke për kapjen e tyre, pasi tre personat duke përfituar edhe nga errësira po kalonin për në territorin grek.

Policia e Igumenicës  ka organizuar shërbimet ku rreth orës 02:19, në vendin e quajtur Asproklisi të Igumenicës u kapën tre shqiptarët se bashku me lëndën narkotike.

B.K,  25 vjeç, banues në fshatin Metoq Bashkia Sarandë ishte shkëputur nga dy të tjerët me qëllim kontrollin e rrugës dhe në momentin e arrestimit nga policia,  gjatë kontrollit fizik iu gjet  978 grame lëndë narkotike.

L.R,  28 vjeç,  banues në fshatin Ninat Bashkia Konispol dhe A.K,  25 vjeç, banues në Sarandë ishin bashkë dhe kishin tre çanta shpine me pako me lëndë narkotike, gjithsej  66 kilogramë Cannabis Sativa.

Pas finalizimit të operacionit të përbashkët, rreth orës 07:30 të mëngjesit  drejtuesi i operacionit i Policisë së Igumenicës ka telefonuar dhe falenderuar drejtuesin e operacionit të  Policisë  Kufitare, duke i  konfirmuar  se kapja e këtyre tre shtetasve nga ana e policisë greke u arrit fal bashkëpunimit dhe  shkëmbimit të informacionit  në kohë reale të dhënë   nga ana e Komisariatit të Policisë Kufitare të Sarandës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat