Telefonata e fundit me kolegun/ Policja para se të vriste veten: Nuk mundem…

Kronikë e zezë

Telefonata e fundit me kolegun/ Policja para se të vriste veten: Nuk mundem…

Më: 13 maj 2017 Në ora: 02:38
Paranxhela Shahini

Zbardhen të tjera detaje nga vetëvrasja me armën e shërbimit te 23-vjeçares, me detyrë efektive e Policisë së Durrësit, shkruan “Panorama”.

Paranxhela Shahini i dha fund jetes në njërën prej dhomave të banesës së saj në Katund Sukth.

“Panorama” shkruan se policja 23-vjeçare duhej të paraqitej mëngjesin e dites se fundit te jetes në punë, por nuk shkoi.

Ajo ka telefonuar një nga kolegët e saj duke e lajmëruar se nuk mund të vinte. Sipas burimeve mesohet se ajo i ka thene kolegut te vet se nuk vinte dot ne pune, pasi ishte e sëmurë.

Ngjarja 

Një plumb në bark i ka marrë jetën 23- vjeçares, ndërsa tentativa për t’i dhënë ndihmën e shpejtë e për ta çuar në spital ka qenë e kotë pasi e reja ka ndërruar jetë. Sipas Policisë, 23-vjecarja është vetëqëlluar në katin e dytë të banesës. Familjarët, por edhe kolegët e mikeshat e afërta të saj, nuk kanë ditur të japin një motiv të mundshëm që mund ta ketë shtyrë efektiven e policisë për këtë akt ekstrem ndaj vetes.

Askush nuk ka qenë në dijeni për ndonjë shqetësim të përjetuar së fundmi prej saj, si në aspektin personal, profesional apo ekonomik të saj.

“Më datë 10.05.2017, rreth orës 12:30, në Katund Sukth, në banesë është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetësia P. Sh., 23 vjeçe, punonjëse policie në Komisariatin e Policisë Durrës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor po kryen veprimet e mëtejshme procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shkaqet”, sqaroi Policia.

HETIMET 

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se efektivja është vetëvrarë me armën e saj të shërbimit brenda në banesën e saj. Të njëjtat burime bënë të ditur se, nisur nga këqyrja e vendit dhe të dhënave të tjera të siguruara në sajë të veprimeve procedurale, është përjashtuar pista e vrasjes.

“Kemi nisur menjëherë hetimet për të mësuar shkakun se përse punonjësja e policisë është vetëvrarë. Fatkeqësisht, motivi është pak vështirë për t’u zbuluar pasi familjarët dhe kolegët e saj thonë se s’kishte shfaqur probleme apo shqetësime. Ajo ka pasur diçka që e ka shtrënguar tytën e pistoletës në barkun e saj dhe ka qëlluar veten. Nuk kishte lënë asnjë shënim, të paktën gjatë kontrollit nuk konstatuam gjë”, shprehen burime nga grupi hetimor.

Tashmë hetimorët janë përqendruar te verifikimi i telefonit të saj celular, nga ku mendohet se mund të gjenden elementë që të çojnë në zbardhjen e motivit të vetëvrasjes së efektives 23-vjeçare, e cila sipas të dhënave kishte vetëm 1 vit që punonte në këtë detyrë.

Policia përjashton faktin që mund të kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, pasi e reja kishte vendosur tytën e pistoletës në bark, çka do të thotë se kemi të bëjmë me vetëvrasje të pastër, për arsye që mbeten ende enigmë.

Sipas Policisë, akti i rëndë s’ka të bëjë me detyrën që e reja ushtronte. Gjithashtu, paraprakisht nuk rezulton që ajo të ketë pasur presion apo kërcënim nga persona të tjerë. Gjendja familjare e polices mësohet të ketë qenë e qëndrueshme dhe përjashtohet pista se ajo mund të jetë shtyrë drejt këtij akti për arsye ekonomike.

Të afërmit e portretizojnë si një vajzë pak të mbyllur, por nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë problemi personal të saj. “Ne fillimisht menduam se ishte ngjarje aksidentale, por policia thotë që është vetëvrarë. Duke mos pasur ndonjë indicie rreth motivit, mendojmë se mund të jetë vetëvrasje nga pakujdesia”, shprehen të afërmit e efektives.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat