Pse e rrahu Rudina nga Lushnja kunatën me bastun kokës

Kronikë e zezë

Pse e rrahu Rudina nga Lushnja kunatën me bastun kokës

Më: 2 prill 2017 Në ora: 08:24
ilustrim

Sherri i nisur mes fëmijëve kaloi te dy kunatat, duke bërë që njëra prej tyre të përfundojë në spital në gjendje të rëndë e tjetra të arrestohet.

Policia bëri të ditur se arrestoi shtetasen Rudina M., 35 vjeçe, banuese në Lushnje, e cila akuzohet se gjatë ditës së djeshme, ka goditur me bastun druri motrën e bashkëshortit (bashkëjetuesit).

“Arrestimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në banesë ka goditur në kokë me sende të forta (bastun druri) kunatën (motrën e bashkëjetuesit), shtetasen E.V, 36 vjeçe, e cila ndodhet e shtruar në Spitalin Lushnje nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën”, bëri të ditur Policia.

Nga hetimi i kryer ka rezultuar se shtetasja E.V. ka shkuar tek i vëllai si mysafire prej një jave, së bashku me djalin e saj 5-vjeçar, i cili ishte gati në një moshë me djalin e autores.

Gjithçka ndodhi pasi dy fëmijët duke luajtur, filluan të ziheshin mes tyre. Por zënkat e fëmijëve kanë futur në konflikt edhe nënat, të cilat kanë dalë secila në mbrojtje të fëmijës së saj.

Pas sharjeve e fyerjeve me fjalë, 35-vjeçarja ka nisur të godasë kunatën, duke e bërë për spital. Kanë qenë akuza e sherre të vjetra ato që kanë nisur të acarojnë palët, ndërsa e zonja e shtëpisë humbi arsyen.

Burime nga Policia bënë të ditur se nusja e familjes nuk ndalej duke e qëlluar disa herë të kunatën, edhe pse kjo e fundit kërkonte ndihmë.

Kanë qenë fqinjët ata që kanë ndërhyrë duke i nxjerrë nga dora kunatën, e cila ishte përgjakur si pasojë e goditjeve me shkop, kryesisht në kokë.

E dëmtuara është transportuar menjëherë në spitalin e Lushnjës në gjendje të rëndë, por pas ndërhyrjes së mjekëve, ajo e ka kaluar rrezikun për jetën.

Fqinjë të gruas kanë thënë në polici se Rudina e kishte humbur kontrollin dhe nëse ata nuk do të ndërhynin në kohë për t’i ndarë, ngjarja mund të kishte përfunduar tragjikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat