Dy grekë dhe një shqiptar tentojnë mashtrimin 50 milionë dollarësh

Kronikë e zezë

Dy grekë dhe një shqiptar tentojnë mashtrimin 50 milionë dollarësh

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 18:23
Dollarë, ilustrim

Një supermashtrim tentuan të kryejnë dy shtetas grekë dhe një shqiptar në një bankë greke.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Janinës mesditën e së premtes, në kohën kur 60-vjeçari shqiptar, i shoqëruar nga avokati i tij grek, 55 vjeç dhe një shtetase greke 40 vjeçe tentuan të këmbenin në filialin e Bankës Kombëtare të Greqisë një çek me vlerë 50 milionë dollarë, që sipas tyre ishte produkt i një shit-blerjeje prone në SHBA.

Autoritetet greke u njoftuan prej drejtorit të bankës lidhur me kërkesën e tre të dyshuarve dhe menjëherë filloi verifikimi i çekut, i cili rezultoi të ishte i falsifikuar. Ekspertë të policisë thanë se cilësia e falsifikimit ishte shumë e lartë.

Menjëherë tre personat u arrestuan dhe u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Janinës. Më pas, agjentët gjetën në banesën e njërit prej të arrestuarve disa vula dhe dokumente të falsifikuara që kishin lidhje me ngjarjen në fjalë. Nga verifikimet e kryera mbi tre të arrestuarit rezultoi se 40-vjeçarja greke ishte dënuar 3 herë në mungesë.

Këtë të shtunë, të arrestuarit u dërguan në mesditë në Gjykatën e Janinës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve. Kjo është një nga tentativat më serioze për mashtrim me çeqe të falsifikuara të kryera vitet e fundit në Greqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat