Berat/ Gjyshja: Mbesa më vodhi 40 mijë euro, 19-vjeçarja trondit me dëshminë e saj

Kronikë e zezë

Berat/ Gjyshja: Mbesa më vodhi 40 mijë euro, 19-vjeçarja trondit me dëshminë e saj

Më: 22 janar 2017 Në ora: 12:28
ilustrim

Vetëm para disa ditësh më 18 janar u njohëm me rastin e gjyshës e cila kishte të fshehur në sirtar plot 40 mijë euro dhe denoncoi vjedhen e tyre në komisariatin e Beratit. 

Gjyshja akuzoi me bindje të plotë mbesën e saj 19-vjeçare të identifikuar si Kamela Sh. pasi ajo gjendej në shtëpi në kohën e ngjarjes. 

Mësohet se dje gjykata e Beratit la dje në burg 19-vjeçaren deri në fund të hetimeve.

Sipas Policisë së Beratit, shtetasja me inicialet N.M., 74 vjeçe, banuese në lagjen “Donika Kastrioti”, është paraqitur në komisariat e alarmuar për zhdukjen e një shume të konsiderueshme parash.

Gjatë deklaratës së saj, ajo ka thënë se i biri emigrant i kishte dërguar paratë që t’ia ruante e ëma, por krejt papritur ajo ka vënë re dy ditë më parë se shuma e eurove nuk ndodhej në sirtarin që i kishte lënë.

Pasi ka verifikuar vërtetësinë e deklaratës së pensionistes, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe kreu veprimet e duhura për gjurmë të mundshme të lëna në vendin e ngjarjes, shkruan Panorama.

E moshuara është pyetur në lidhje me vizitat që ka pasur ditët e fundit në shtëpi dhe për ndonjë të dyshuar.

Por ajo ka deklaruar se në ditët e fundit, e vetmja që i kishte ardhur për vizitë çdo ditë kishte qenë mbesa e saj 19 vjeçe. Kjo e fundit, e papunë, është ndaluar si e dyshuar, por sipas policinë nuk e ka pranuar autorësinë e vjedhjes.

“Nuk ka qenë askush tjetër në shtëpinë time veç mbesës. Unë mendoja se ajo vinte që të më bënte qejfin dhe të më ndihmonte, por mesa duket hallin e paska pasur gjetkë. Ajo ka qenë në dijeni të parave dhe ndoshta këto ditë ka ardhur me qëllim që të mësonte se ku i kisha fshehur ato”, është shprehur në polici e moshuara.
Ndërkaq, nuk është e qartë se pse i biri nuk i ka depozituar paratë në bankë, por ka zgjedhur t’ia besojë ato nënës së saj, e cila sipas të dhënave rezulton se banonte e vetme.

Pas denoncimit të gruas, policia ka bërë shoqërimin e të dyshuarës, e cila është marrë në pyetje. Nga Seksioni për Krimet, u bë ndalimi i shtetases Kamela Sh., 19 vjeçe, banuese në Berat, pasi dyshohet se në banesën e gjyshes, shtetases N.M., 74 vjeçe, banuese në Berat, ka vjedhur 40000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘vjedhje’, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se po verifikohet nëse vajza ka bashkëpunuar me persona të tjerë në vjedhje, çoftë edhe me ndonjë të dashur të mundshëm. Gjithsesi kjo është ende në kuadër dyshimi pasi veç mbesës, blutë dyshojnë se në banesë mund të jenë futur pa dijeninë e së moshuarës edhe persona të tjerë që kanë pasur informacion për shumën e parave.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se mbesa 19- vjeçare është ndaluar, por ajo ka mohuar në mënyrë kategorike krimin për të cilin dyshohet.

“Nuk i kam vjedhur unë ato para. Hetoni dhe gjejeni kush i ka marrë. Unë kam shkuar te gjyshja për t’u kujdesur, por asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje të vidhja tek ajo”, është shprehur Kamela Sh., dje në Policinë e Beratit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat