Atentat të liruarit nga burgu në Shijak, zbardhet dëshmia e të plagosurit

Kronikë e zezë

Atentat të liruarit nga burgu në Shijak, zbardhet dëshmia e të plagosurit

Më: 7 janar 2017 Në ora: 19:32
ilustrim

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve, që tentuan të eliminonin në atentat ish-të dënuarin për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, Saimir Gjepalin. 

Ai u plagos dy net më parë, pasi persona ende të paidentifikuar i kishin zënë pritë në afërsi të banesës së tij në Shijak
Grupi hetimor, i cili u ngrit menjëherë për të hetuar ngjarjen, ka përcaktuar dy pista në lidhje me shkakun e këtij atentati, që fatmirësisht Gjepali arriti t’i shpëtonte: të kaluarën e tij kriminale në fushën e narkotrafikut dhe ndonjë konflikt të mundshëm të 42-vjeçarit të kohëve të fundit, raporton “Panorama”.

Gjatë 48 orëve të fundit, policia ka shoqëruar mbi 15 persona në komisariat, mes tyre të dyshuar dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Vetë shënjestra e këtij atentati ka pohuar për policinë se nuk ka dyshime konkrete te ndonjë person. Për shkak të errësirës, ai i ka pohuar policisë se nuk ka arritur të dallojë personat që qëlluan në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi teksa ishte duke u kthyer në banesë rreth orës 02:20 të së mërkurës me automjetin e tij “Range Rover”.

Ai ka pohuar se në momentin që i ishte afruar banesës në lagjen “Ballias” (Shijak) ka dëgjuar të shtëna armësh dhe është përpjekur t’u shmangej plumbave, por nuk ka arritur të identifikonte dot autorët që i kishin zënë pritë pranë shtëpisë, raporton “Panorama”. 
Si pasojë e të shtënave, 42- vjeçari mbeti i plagosur në parakrah, por fatmirësisht pa probleme për jetën. 

Pasi ka marrë mjekim në spitalin rajonal të Durrësit, Gjepali është larguar për në banesë. 

Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa asnjë prej kamerave të instaluara në objektet e zonës nuk kanë imazhe nga lëvizja e autorëve, të cilët duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat