E mitura ikën me të dashurin fshehurazi nga shtëpia, por e përdhunojnë edhe shokët e djalit

Kronikë e zezë

E mitura ikën me të dashurin fshehurazi nga shtëpia, por e përdhunojnë edhe shokët e djalit

Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 15:10
Ilustrim

Një vajzë e mitur në Vorë, pretendon se është abuzuar seksualisht nga tre persona. Ngjarja ka ndodhur natën mes të shtunës dhe të dielës, ku të dyshuar janë S. D., R. H., 19 vjeç dhe S. D., 17 vjeç, banues në Tiranë.

E mitura me inicialet A. B., 14 vjeçe, me banim në Vorë ka akuzuar tre të rinjtë se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të kundër dëshirës së saj.

Gjithçka është zbuluar pasi patrulla “Shqiponja” ka konstatuar një makinë të drejtuar nga një i ri nën moshë dhe me pasagjerë persona të tjerë, mes tyre edhe e mitura.

Katër të rinjtë janë shoqëruar në komisariatin e policisë rrugore, ku kanë deklaruar se kanë qenë të katërt bashkë në një lokal, ku dhe kanë pirë, thanë burime policore.

Por për shkak të moshës së mitur të A. B., janë njoftuar prindërit e saj, ku adoleshentja ka treguar se ka dalë me dëshirën e saj natën, fshehurazi dhe ka shkuar në lokal me njërin nga djemtë të cilin ka thënë se e ka pasur të dashur.

Por tre të rinjtë të pyetur nga policia kanë thënë se kanë pasur marrëdhënie me 14- vjeçaren me dëshirën e saj. Përballë deklaratave të tilla, gjatë pyetjes në polici në prani të prindërve dhe psikologut, e reja ka thënë se ka kryer marrëdhënie me të dashurin e saj, por se dy të tjerët kanë abuzuar seksualisht me të kundër dëshirës së saj.

Nga ekspertiza mjeko- ligjore u konstatua konsumimi i aktit seksual, duke bërë që tre të rinjtë të vihen në pranga për shkak të moshës së mitur të vajzës.  

Aktualisht vijojnë ende hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, për shkak të dëshmive kontradiktore të 14- vjeçares dhe tre “shokëve” të saj, por edhe prej deklarimeve pohuese se e mitura kishte dalë fshehurazi nga shtëpia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat