Ndalohen katër persona në Korçë, iu gjetën drogë dhe municione

Kronikë e zezë

Ndalohen katër persona në Korçë, iu gjetën drogë dhe municione

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 15:47
Gjësendet e konfiskuara

Finalizohet me sukses operacioni i përbashkët antidrogë i zhvilluar midis Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Shtetit, Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë Korçë dhe  autoriteteve policore maqedonase.

Në kuadër të një bashkëpunimi të suksesshëm u finalizua një operacion i përbashkët antidrogë, synimi i të cilit ishte goditja e një grupi të strukturuar kriminal  në fushën e trafikimit dhe mbajtjes të lëndëve narkotike.

Ditën e djeshme nga ana e autoriteteve maqedonase, në brendësi të territorit të tyre, u konstatuan dy automjete, konkretisht mjeti tip “Mercedes -Benz” me targë AA 584 MZ në pronësi të shtetasit Reviol Capo, brenda të cilit ndodheshin edhe shtetasit Erand Malo dhe Ervis Dushi, si edhe mjeti tip “Volvo” me targa AA 484 IR në pronësi të shtetasit Arben Bashllari, 53 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit  që shërbimet policore maqedonase ushtruan tek automjeti i këtij të fundit, iu gjet e sekuestrua një sasi prej 15 kg, lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva. Bashllari u kap dhe arrestua në kushtet e flagrancës nga autoritetet maqedonase, ndërsa tre shtetasit që ndodheshin në automjetin tjetër u shoqëruan dhe më pas u deportuan, në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës.

Si rezultat i bashkëpunimit, mirëkoordinimit të veprimeve dhe vijimit të hetimeve lidhur me këtë rast,  shërbimet tona policore,  ushtruan kontroll në banesat e shtetasve të deportuar. Konkretisht në ambjentet e banesës të shtetasve Erand dhe Ernik Malo, (vëllezër)  në fshatin Buçimas, të rrethit Pogradec, u gjetën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale 3  pako me peshë 10 kg lëndë e dyshuar si narkotike  “Cannabis Sattiva”, 1 krëhër automatiku me 27 fishekë të kalibrit  7.62 mm. Në kushtet e flagrancës u arrestuan katër shtetasit e mëposhtëm Erand dhe Ernik Malo, 25 dhe 19 vjeç (vëllezër) , Ervis Dushi, 29 vjeç, të tre banues në fshatin Buçimas- Pogradec dhe Reviol Capo, 31 vjeç, banues në Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se këta persona në bashkëpunim mes tyre, lëndën narkotike të poseduar synonin ta trafikonin drejt shtetasit maqedonas. Materialet  në ngarkim të tyre i kaluan  Prokurorisë të Rrethit  Gjyqësor Pogradec, për veprat penale:  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”dhe “Moskallëzimi i Krimit” parashikuar nga nenet 283/2 ;278/3; dhe 300 të Kodit Penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat