Rrëfimi/ Kolumbiani i “kokainës”: Do merrja 3-4 mijë euro në muaj

Kronikë e zezë

Rrëfimi/ Kolumbiani i “kokainës”: Do merrja 3-4 mijë euro në muaj

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 07:53
Kolumbiani

Gjithçka nisi kur në datën 17.12.2014 në Prokurorinë për Krime të Rënda mbërriti një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike, të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

Policia arrestoi 11 persona mes të cilëve Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonaj, Ilir Hysenin e të tjerë. Mes të arrestuarve ishin edhe 2 kolumbianë, Valter Moreno dhe Cesar Avila, të cilët, sipas prokurorisë do të ndihmonin në ekstraktimit e kokainës. Për këtë, grupi kriminal kishte ndërtuar një laborator droge në Elbasan.

Sipas deklaratës së policisë, në kohën e operacionit, të paktën 97 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë u bllokua në këtë laborator. Dy kolumbianët kanë mohuar para prokurorëve akuzat për trafik droge e grup të strukturuar kriminal. “Gazeta Shqiptare” publikon sot rrëfimin e Valter Morenos, i cili deklaron se kishte ardhur nga Bogotaja në Europë për të punuar si saldator me 3-4 mijë euro në muaj. Por, megjithëse ai thotë kështu, të paktën një akt ekspertimi kimik, ai me nr.1942, datë 4.3.2015, ka nxjerrë prani të kokainës në rrobat e Cezar Avila dhe Valter Moreno.

RREFIMI I PLOTE I VALTER MORENO

“Mua më ka kontaktuar një person me emrin Karlos në Bogota, në Kolumbi. Unë jam me profesion saldator dhe pranova që Karlosi të më gjente punë në Europë në ndërtim. Karlosi më ka thënë që do më gjente punë në shtetin grek. Pagesa për punën që do të bëja ishte 3000-4000 mijë euro në muaj. Biseda me Karlosin është bërë rreth 5 muaj para se të arrestohesha në Shqipëri. Pasi unë rashë dakord, kam udhëtuar në Shqipëri nëpërmjet Portugalisë, Italisë dhe më pas në Greqi. Këtë udhëtim unë e kam bërë bashkë me shtetasin Cesar Avila me të cilin jam njohur në takimin që unë kam bërë me Karlosin ku i pranishëm ka qenë dhe Cesari dhe të dy ramë dakord që të vinim për të punuar. Biletat për udhëtimin tim dhe të Cesarit na i ka paguar Carlosi dhe ne do t’ia paguanim atij me rrogën e parë që do të merrnim.

Ne me Karlosin do të takoheshin në qytetin e Athinës në një hotel, emri i të cilit nuk më kujtohet tani. U takuam në hotelin, dhomat i kishim prenotuar që në Kolumbi. Karlosi na ka thënë që duhet të shkonim në një qytet tjetër, në Janinë pasi në këtë qytet nuk kishte pune. Ne ramë dakord për këtë gjë dhe Karlosi na gjeti na gjeti një makinë që nuk ishte taksi dhe unë me Cesarin mbërritëm në Janinë. Shoferi i makinës na çoi në një hotel dhe shoferi na ka thënë që ky është hoteli me shenja, pasi nuk e dinim gjuhën me të cilën komunikonte ai dhe unë me Cesarin hynë vetëm në hotel dhe prenotuam një dhomë vetëm për një notë për të dy. Të nesërmen në mëngjes në hotel erdhi një taksi, na kërkoi ne të dy, sipas bisedës që kishim bërë me Karlosin në Athinë dhe me këtë taksi kemi hyrë në Shqipëri.

Ne nuk e dinim që do vinim në Shqipëri për të punuar, pasi Karlosi na ka thënë në Athinë që do të punonim në qytet tjetër pa na thënë emrin e tij. Në një moment, taksisti na kërkoi pasaportat mua dhe Cesarit dhe ne ja dhamë. Kur u afruam në doganë kuptuam që po kalonim kufirin dhe ne një tabelë kuptuam që po hynim në Shqipëri. Taksisti paraqiti pasaportat tona në doganë dhe më pas kemi hyrë në Shqipëri. Taksisti na ka çuar në një hotel, ku na zbriti valixhet nga taksia dhe na tregoi hoteli. Emrin e hotelit dhe qytetin ku ishim nuk e dinim. Pasi hymë ne të dy në hotel, kemi kërkuar një dhomë dhe morëm çelësat dhe hipëm në dhomë. (Në këtë moment avokati Ferdinand Doja kërkoi ndërprerjen e seancës së pyetjeve, pasi kishte një emergjencë familjare. Edhe Valter Moreno është dakord me ndërprerjen dhe vazhdimin e seancës një herë tjetër)”.(Gazeta Shqiptare)

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat