Burri vret gruan dhe plagos kunatën

Kronikë e zezë

Burri vret gruan dhe plagos kunatën

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 11:16
Ndroq

Sërish trondit krimi në familje. Në fshatin Çoçaj të Tiranës, një 56-vjeçar ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij 47-vjeçare, ndërsa ka plagosur kunatën. Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 në zonën e Ndroqit, ndërsa autor i ngjarjes është shtetasi Kasëm Lila. Me një armë, çifte, 56-vjeçari ka qëlluar në drejtim të gruas së tij Afize Lila dhe kunatës Zyra Lila, 50 vjeçe. Goditja për 47-vjeçaren ka qenë fatale, pasi ka humbur jetën menjëherë pasi është dërguar në spital, ndërsa kunata e saj ka mundur të mbijetojë pas një plumbi të marrë në pjesën e shpatullës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e komisariatit numër 6, të cilët kanë arrestuar autorin e këtij krimi në familje, shtetasin Kasëm Lila, si dhe të sekuestrojnë armën me të cilin ai vrau bashkëshorten dhe plagosi kunatën. Burime nga policia u shprehën se arma e krimit është gjetur e hedhur në një pjesë të banesës ku ata qëndronin.

Ngjarja 

Gjithçka ka ndodhur në banesën e çiftit Lila. Kasëm dhe Afize Lila mësohet se ndodheshin në banesë, ndërsa në një moment diskutimi mes tyre ka lindur një debat i ashpër. Pas kundërshtimeve të bëra me njëri-tjetrin, Kasëmi është acaruar duke ngritur edhe zërin dhe duke thirrur “do të vras”. Burime nga policia kanë bërë me dije se në këtë moment ka ndërhyrë kunata e çiftit, bashkëshortja e vëllait të autorit, e cila kishte shtëpinë ngjitur me banesën e tyre. Sapo ajo ka shkuar në banesën e tyre, ka parë Kasemin me armë në dorë duke kërcënuar bashkëshorten e tij me jetë. “Kishte marrë një armë në dorë dhe i thoshte “do të vras”. Doja ta ndaloja se ishte shumë i acaruar, por ai qëlloi”, është shprehur 50-vjeçarja Zyra Lila. Sakaq, kjo e fundit mësohet se ishte motra e viktimës, njëkohë- sisht edhe kunata. Ndërkohë, mësohet se 56-vjeçari vuante nga depresioni, ndërsa kohët e fundit i kishte shfaqur në raste të shpeshta. Mësohet se konflikti mes dy bashkëshortëve kishte nisur për shkak të KEMP-it, që merrte Kasëmi. Kishte tre javë që atij i ishte ndërprerë kjo e drejtë, ndërsa nuk ka pritur mirë fjalët e gruas. Burime nga policia kanë bërë me dije se autori i ngjarjes disa vite më parë ka kaluar në operacion nga tumori në kokë. Që atëherë, mësohet se 56-vjeçari nuk ka mundur të normalizohet nga gjendja e tij shëndetësore.

Banorët 

Ndërkohë, të shumtë kanë qenë banorët e zonës që kanë shkuar në banesën ku ndodhi ngjarja. Ata janë shprehur për efektivët e policisë së Kasëm Lila ka pasur në çdo kohë probleme mendore, ndërsa sipas tyre ai është operuar dy herë. Banorët deklarojnë se një ngjarje e tillë ishte e paralajmëruar, duke qenë se ai nuk ka mundur ta marrë kurrë veten nga ndërhyrjet. Më tej, banorët e fshatit Çoçaj në Ndroq thonë se tragjedia ka ndodhur pas një sherri të momentit mes çiftit dhe se nuk fshihet ndonjë problematikë tjetër. Ndërkaq, dyshohet se fëmijët e çiftit nuk kanë qenë të pranishëm në momentin e konfliktit. Burime nga policia theksuan se momentin e arrestimit, autori është gjetur në banesën ku ndodhi krimi dhe nuk ka bërë asnjë rezistencë. 56-vjeçari ka tentuar ta fshehë armën e krimit, por pasi nuk ka mundur ta bëjë këtë ai e ka hedhur atë në ambientet e jashtme të banesës. Grupi hetimor ka arritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave.

Autori 

Kasëm Lila, i cili mbrëmjen e djeshme qëlloi për vdekje gruan e tij, njihet nga banorët e fshatit si një person i qetë. Familjarë dhe banorë të autorit janë shprehur se shkak për ndryshimin e gjendjes së tij është bërë sëmundja e rëndë që ka kaluar disa vite më parë. Ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr një masë tumori në kokë, dhe që prej asaj kohe ai është trajtuar me ndihmë ekonomike në formë KEMP-i. por, tre javë më parë, Kasëmit i është ndërprerë kjo lloj ndihme, duke i krijuar vështirësi për të blerë ilaçet. Herë pas here, familjarët kanë treguar në polici se Kasëmi shfaqte shenja frike për jetën e tij dhe bëhej nervoz. Këto shenja që ai shfaqte herë pas here kanë ndikuar së fundmi në familjen e autorit, duke sjellë edhe konfliktet në familje. Mbrëmjen e djeshme, situata e krijuar në familjen Lila ka degraduar deri në vrasje. Pas konfliktit me gruan e tij, ai ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar drejt saj duke e lënë të vdekur. /shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat