Kapen 650 kg marihuanë në Bari, dyshohet se vinin nga Shqipëria

Kronikë e zezë

Kapen 650 kg marihuanë në Bari, dyshohet se vinin nga Shqipëria

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 09:55
Pamje nga aksioni i policisë

Në brigjet e komunës së Monopolit në provincën e Barit, policia italiane ka sekuestruar një sasi prej 650 kilogramë marihuanë.

Droga u gjet në zonën e njohur si plazhi i “Santo Stefano”-s, e fshehur pas një muri rrethues të një vile e cila është e banuar vetëm gjatë muajve të verës.

Sipas mediave italiane, pak metra më tutje në afërsi të plazhit është gjetur dhe një gomone e braktisur dhe dëmtuar ndoshta për shkak të përplasjes me shkëmbinjtë.

“Lënda narkotike e ndarë në 137 pako do të vlente në treg rreth 3 milionë euro”, ka njoftuar policia vendase. Kjo e fundit ka nisur hetimet mbi ngjarjen duke inspektuar imtësisht zonën në bashkëpunim me kapitenerinë e portit të Barit.

Ndërkohë mediat italiane shkruajnë se, “supozohet se ngarkesa e drogës vinte nga Shqipëria e një shkak i paparashikuar ka bërë që trafikantët e skafistët të braktisin gomonen e të fshehin ngarkesën e drogës me qëllim rekuperimin e saj në një moment të dytë”.

Ka qenë një banor i zonës i cili ka gjetur drogën e fshehur duke lajmëruar menjëherë forcat italiane të rendit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat