I vetëvrarë me plumb në gojë, amaneti që shqiptari u la fëmijëve

Kronikë e zezë

I vetëvrarë me plumb në gojë, amaneti që shqiptari u la fëmijëve

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 10:07
Foto nga vendi ngjarjes

Një 69-vjeçar u gjet i vrarë mesditën e djeshme, i ulur poshtë dhe me një pistoletë pranë dorës. Sipas Policisë, viktima ka vrarë veten në rrethana ende të paqarta. Ndërsa në xhep iu gjet një letër lamtumire, ku kishte shkruar edhe amanetin e fundit për fëmijët. “Mbani afër mamin…”, shkruante në letër viktima.

Ndërsa kërkonte gjithashtu që Policia të mos merrej me këtë ngjarje, pasi e kishte bërë vetë.

Ngjarja ndodhi në zonën e Linzës, në Tiranë, vetëm pak metra larg repartit RENEA, pranë varrezave të fshatit.

Policia tha se viktima është shtetasi Gani Çela, baba i 4 fëmijëve, nga Përmeti dhe banues në zonën e “Freskut”, në Tiranë.

Kalimtarët e rastit dhe disa banorë të zonës që kanë dëgjuar të shtënën e armës, kanë parë trupin e pajetë të 69- vjeçarit dhe menjëherë kanë lajmëruar Policinë.

Duke dyshuar për një vrasje të mundshme, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë dhjetëra forca policie, nga Komisariati nr.4, Njësia “Shqiponja” dhe oficerë të Krimeve të Rënda.

Por nga verifikimet e kryera në vendin e ngjarjes, provat dhe këqyrja e kufomës, rezultoi se Gani Çela kishte vrarë veten.

Burimet thanë se pistoleta tip “TT” u gjet në tokë pranë vendit ku ai ishte ulur para vetëvrasjes, në krahun e tij të djathtë.

Gjithashtu u gjet edhe një gëzhojë. Ndërsa në xhep u gjet letra që ai kishte shkruar dhe karta e identitetit.

“Policia të mos merret kot me këtë problem. E kam bërë me dashje. Mbani afër mamin…”. Këto kanë qenë fjalët e fundit që 69-vjeçari ka hedhur në një copë letër, para se të kryente vetëvrasjen.

Oficerët e grupi hetimor morën në pyetje dje familjarët e viktimës, gruan dhe djemtë e tij, për të mësuar ndonjë motiv të mundshëm që e ka çuar atë drejt vetëvrasjes.

Megjithatë duket se as familjarët e tij nuk i dinë arsyet e këtij veprimi.

Sipas dëshmisë së tyre për hetuesit, Gani Çela nuk kishte probleme depresioni apo të ndonjë natyre tjetër shëndetësore që ta detyronte t’i jepte fund jetës.

Po ashtu, familjarët kanë pohuar për Policisë se ai nuk kishte as probleme ekonomike, borxhe apo grindje në familje, pasi ishte njeri i qetë.

Në këto rrethana edhe vetë njerëzit e tij më të afërt nuk kanë mundur të shpjegojnë arsyet e këtij krimi, pasi edhe për ta është mister motivi i vetëvrasjes.

Ndërsa nuk kanë dhënë shpjegime për armën me të cilën ai ka vrarë veten, pasi kanë pretenduar se nuk e dinin që ai mbante pistoletë. Burimet thanë se po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat