Spanjë, pranga “ushtarakëve” shqiptarë të bandës së kokainës

Kronikë e zezë

Spanjë, pranga “ushtarakëve” shqiptarë të bandës së kokainës

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 17:03
Arrestimet

Policia spanjolle ka zhvilluar një operacion masiv në Barcelonë dhe ka shkatërruar një organizatë droge që përbëhej nga shqiptarë dhe bullgarë.

Sipas policisë spanjolle, grupi i drogës drejtohej nga shqiptarët, ndërsa bullgarët kryesisht ishin të angazhuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Autoritetet sekuestruan 38 kg heroinë të pastër, 8 kg kokainë dhe 50 kg kimikate të tjera që përdoreshin për përzierjen e lëndëve narkotike.

Në prangat e policisë ranë 7 persona anëtarë të bandës së drogës. Baza e tyre ishte në një fshat të Barcelonës, ku kishin ngritur një laborator të sofistikuar për përpunimin e kokainës dhe heroinës.

“Anëtarët e bandës kanë qenë të stërvitur ushtarakisht dhe kishin disiplinë të rreptë”,- thuhet ndër të tjera në komunikatën e policisë spanjolle.

Në këtë operacion të madh ka marrë pjesë edhe Europol dhe Policia Shqiptare, ndonëse nga kjo e fundit nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar për shqiptarët e arrestuar që drejtonin një organizatë droge në Spanjë.

Emrat e këtyre të fundit nuk janë bërë të ditur. Ata kanë qenë prej disa kohësh nën përgjim nga autoritetet. Operacioni masiv në Spanjë është zhvilluar ditën e djeshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat