Hetimet: 17-vjeçari i vrarë në Sharrë mund të jetë goditur nga ekskavatori kur ishte në gjumë!

Kronikë e zezë

Hetimet: 17-vjeçari i vrarë në Sharrë mund të jetë goditur nga ekskavatori kur ishte në gjumë!

Më: 11 gusht 2016 Në ora: 09:09
Ardit Gjoklaj

Vrasja e Ardit Gjoklajt në landfilldin e Sharrës dyshohet se ka ndodhur në një kohë kur 17-­vjeçari ka qenë në gjumë. Ky ka qenë versioni i parë i ngjarjes, i hedhur fillimisht nga ana e Policisë, dhe që, me sa duket, po konfirmohet edhe nga vazhdimi i hetimeve në Prokurorinë e Tiranës.

Burimet nga grupi i hetimit kanë thënë se një pjesë e lëvizjeve të ekskavatorit­-kovë janë regjistruar nga një prej kamerave që mbikëqyrin rrethimin dhe sigurinë e landfilldit. Referuar pamjeve të këtyre kamerave, përcaktimit të përafërt të kohës së vdekjes së të riut dhe vendit ku ai është gjetur, hetuesit mendojnë se Ardit Gjoklaj ka qenë në gjumë në momentin që është zënë poshtë nga ekskavatori-kovë.

“Ka të dhëna nga kamerat dhe nga dëshmitarët se 17- vjeçarin e kishte zënë gjumi në mbeturina për shkak të orës së vonë dhe faktit se në orët e para të mëngjesit të datës 7 gusht kishte nisur të binte shi. Për këtë arsye, punëtorët kanë ndërprerë punën në seleksionimin e mbeturinave dhe kanë vendosur të pushojnë”, thanë për “Panorama” burimet nga hetimi.

Sipas tyre, disa punëtorë kanë hyrë poshtë strehëve në një ndërtesë që ndodhet aty pranë, ndërsa 17­vjeçari Ardit Gjoklaj, me sa duket, ka vazhduar punën ose është ulur aty ku e ka zënë shiu. Hetuesit kanë dyshime se të riun e ka zënë gjumi aty dhe më pas, kur puna ka rinisur në landfilld, ekskavatori­-kovë e ka goditur në kokë dhe në gjithë pjesët e trupit, duke e masakruar. Trupi më pas është lënë në plehra deri të nesërmen në orët e pasdites, kur kufoma është gjetur, me sa duket, nga punëtorët e tjerë të firmës, që kishin ndërruar turnin dhe kanë lajmëruar Policinë.

Fran Gjoklaj, xhaxhai tjetër i Ardit Gjoklajt, ka akuzuar direkt drejtuesin e ekskavatorit. “Kemi shumë pak fjalë për të thënë në këtë drejtim, por gjithë ankesa jonë shkon te fadromisti. Ai mbasi e ka mbytur, e ka mbështjellë me mbeturinat dhe ka dashur ta fshehë e ka thënë që ka ardhur i mbytur. Po ta kishte mbytur dhe të kishte thënë e mbyta pa dashje, do t’i kishim thënë hajde pi kafe, por ne na ka rënduar shumë se e ka fshehur për të mos u zbuluar dhe ka thënë që e kanë mbytur të tjerët. Nuk ka tjetër histori kjo punë”, ka thënë xhaxhai i viktimës. Ai tha më tej se ditën e ngjarjes, nëna e priti në shtëpi Arditin deri në orën 09:30. “Më pas, ajo ka njoftuar njerëzit e saj dhe ne nisëm kërkimet. Në televizor ne pamë se ishte gjetur një trup pa jetë në Sharrë, por thanë se ishte 40­ vjeçar, megjithatë ne thamë mos ishte ngatërresë dhe shkuam ta shihnim”, ka thënë Fran Gjoklaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat