Turistët goditen nga rrufeja në Dibër, ndihmohen nga policia

Kronikë e zezë

Turistët goditen nga rrufeja në Dibër, ndihmohen nga policia

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 23:39
Ilustrim

Një grup prej 6 turistësh, 3 prej të cilëve të huaj, që ndodheshin për piknik në “Bjeshkët e Grevës”, sipër fshatit Ilnicë të Dibrës, janë përballur me motin e keq. Për shkak të rënies edhe të rrufesë, ata janë plagosur lehtë. Policia lokale ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke transportuar turistët për në spital.

“Rreth orës 15.00 disa turistë janë përballur me motin e keq me shi, stuhi e rrufe dhe  për t’iu shmangur stuhisë u futën në një vend të mbrojtur nga shiu. Por disa metra më tej ka rënë një rrufe e për pasojë janë lënduar lehtë 6 shtetasit, tre prej tyre janë turistë të huaj e tre shtetas shqiptarë”, informon policia.

Turistët kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Dibrës dhe nuk kanë shfaqur probleme serioze për shëndetin. Por, për shkak të tronditjes, personeli do t’i trajtojë me ndihmë edhe për 24 orët e ardhshme. Policia ka kryer të  gjitha veprimet proceduriale dhe materialet në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë Dibër për “ngjarje aksidentale”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat