Luiza apo trimëresha shqiptare: Medalja është shumë e mundshme në Kampionatin Evropian

Atletika

Luiza apo trimëresha shqiptare: Medalja është shumë e mundshme në Kampionatin Evropian

Nga: Kemajl Goca Më: 8 korrik 2016 Në ora: 19:20

Luiza Gega, atlete e kombëtares së Shqipërisë, shkëlqeu në disiplinën 3000 metra në kualifikimet për finalen e Kampionatit Evropian në atletikë, që po mbahet në Amsterdam të Holandës. Trimëresha shqiptare sot garoi në baterinë e dytë, duke u renditur e para mes 14 garueseve me kohën 9:38.87 minuta. Ajo mahniti të gjithë me shpejtësinë e saj, duke lënë pas vetes zviceranen Fabienne Schlumpf me kohë të kaluar për 9:40.28 minuta. Luiza pretendon medalje në garën finale që do të zhvillohet të dielën (me 10 korrik) në orën 17.15. Ajo për gazetën kombëtare “Bota sot” tregon se sa ishte vështirë të siguroi finalen e madhe.

“Bota sot”: Luiza, a ndiheni e lumtur për kualifikimin në finalen e Kampionatit Evropian?

Luiza Gega: Sigurisht që ndihem e kënaqur, finalja është shumë e rëndësishme, në fakt për mua 3000 metra me pengesa është garë e re por që mundësitë e mia i shoh më të larta në këtë disiplinë, kjo ishte arsyeja që unë u përfaqësova me këtë garë. Finalja sigurisht që do të jetë shumë e vështirë pasi normal që janë kualifikuar vajzat më të forta. Medalja është shumë e mundshme dhe do të përpiqem shumë për të dhe pse shumë garuese do ta synojnë pasi gara mbetet garë.

“Bota sot”: Sa ishte vështirë?
Luiza Gega:
 Atëherë, pra kushtet klimaterike nuk ishin shumë të favorshme, ishte pak erë dhe ftohtë, dhe ju thash për mua është garë e re dhe kam pak siguri në vrapimin në grup, për këtë arsye mora kryesimin. E bën akoma me të vështirë fakti që ke pengesa për të kaluar sidomos pengesa ne gropën e ujit ku një gabim i vogël mund të të rrëzohesh dhe mund të të ikë komplet gara. Këto janë vështirësitë që has por dhe pse me eksperiencë jo të madhe jam në mesin e më të mirave dhe kjo më bën akoma më optimiste për të ardhmen që me pret në këtë disiplinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat