Lunaçek: Çelësi për heqjen e vizave është në duart e politikanëve të Kosovës

Aktuale

Lunaçek: Çelësi për heqjen e vizave është në duart e politikanëve të Kosovës

Më: 7 korrik 2016 Në ora: 13:39
Ulrike Lunaçek

Raportuesja për marrëdhëniet e Kosovës njëherësh edhe zëvendës presidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek ka thënë se topi për liberalizimin e vizave tani është në dorën e Qeverisë së Kosovës dhe Parlamentin e Kosovës.

“Më vjen keq që deri tani nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në lidhje me përmbushjen e dy kritereve të fundit për liberalizimin e vizave në Kosovë, si ratifikimi ende në pritje i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës dhe përparimi i hapave të mëtejmë të Qeverisë së Kosovës për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tani është koha për të vepruar. Me mbështetje të plotë nga Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET), u bëj thirrje politikanëve përgjegjës në Kosovë dhe të gjitha palëve që të bëjnë hapa të nevojshëm përfundimtarë për t’i hapur dyert e udhëtimit pa viza. Si raportuese e përhershme, unë ofroj mbështetjen time të plotë dhe do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të mbështetur edhe më tej Kosovën në këtë rrugë që të marrë votë pozitive në Parlamentin Europian. Jam e bindur se qytetarët e Kosovës e meritojnë heqjen e vizave sa më shpejtë të jetë e mundur. Mungesa e perspektivës për lirinë e lëvizjes që i gëzon kushdo në rajon, duhet të marrë fund sa më shpejtë. Tani politikanët në Kosovë e mbajnë çelësin në duart e tyre për liberalizimin e vizave. Unë dhe raportuesja, Tanja Fajon kërkojmë tani zhbllokimin e kësaj dere”, shkruan Ulrike Lunaçek.

Komiteti për Politikë të Jashtme i PE-së, miraton propozimin për liberalizim për Kosovën

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, ka miratuar propozimin për liberalizim të vizave për Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek, në një postim në twitter.

Ajo tani ka porositur politikanët e Kosovës se duhet të veprojnë.

“E gëzuar për miratimin e propozimit për Kosovën nga Komiteti për Politikë të Jashtme i PE-së. Tani politikanët kosovarë duhet të veprojnë”, ka shkruar Lunaçek.

Për këtë miratim është deklaruar për lajmi.net edhe ministri për Integrime, Bekim Çollaku. Ai ka falënderuar anëtarët e Komitetit si dhe Parlamentin Evropian për përkrahje.

“Besoj se tani pa humbur kohë do të kryejm edhe ne obligimin e mbetur në mënyrë që të përshpejtohet vendimarrja në Parlament dhe Këshill”, ka deklaruar Çollaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat