VV: Do ta vendosim sërish tabelën por atë ta mbrojë Policia dhe FSK-ja

Lajme

VV: Do ta vendosim sërish tabelën por atë ta mbrojë Policia dhe FSK-ja

Më: 28 qershor 2016 Në ora: 18:43
Ilustrim

Policia malazeze sot ka hequr tabelën dhe flamurin kombëtarë, që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i vendosën dje te vendi i quajtur “Varri i Nuses”, që sipas tyre është pika kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Vetëvendosje ka reaguar për këtë lajm duke thënë se policia malazeze ka shkelur territorin e Kosovës dhe “tinëzisht ka vjedhur tabelën me mirëseradhje dhe flamurin e një shteti tjetër”.

“Nga portalet mësuam që Policia e Malit të Zi e paska hequr tabelën “Mirësevini në Republikën e Kosovës” (në tri gjuhë) dhe flamurin kombëtar shqiptar të cilat i vendosëm dje te Varri i Nuses, pra te pika kufitare midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne e dënojmë aktin e policisë malazeze që shkel territorin e shtetit të Kosovës dhe ndërhyn tinëzisht për të vjedhur tabela mirëseardhjeje dhe flamuj të shtetit tjetër”, thuhet në reagimin e VV-së.

VV thotë se dje, kur deputetët e VV-së ishin në këtë vend, policia malazeze shfaqej andej pari çdo 15 minuta por nuk veproi.

“ Të martën e paskan vjedhur shenjimin e drejtë të kufirit që bëmë”, thotë VV.

VV bën të ditur se deputetët e këtij subjekti do të vendosin sërish tabelë të mirëseardhjes dhe flamurin kombëtar në vendin e quajtur Varri i Nuses.

“Varri i Nuses ndodhet 29 km larg Pejës dhe 18 km larg Rozhajës, si dhe 8 km larg nga pika e kontrollit të policisë së Kosovës e 2 km nga ajo e Malit të Zi. Policia e Kosovës (PK), por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), duhet të shkojnë te Varri Nuses sepse janë të thirrur dhe paguhen për ta mbrojtur kufirin e territorit tonë. Deputetët tanë do ta vendosin sërish tabelën e flamurin atje, por ata nuk janë policë që t’i ruajnë ato 24 orë në ditë e 7 ditë në javë. PK dhe FSK duhet ta bëjnë këtë. Ato nuk është e thënë që ta presin qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s për këtë gjë”.

“Ndërkohë, ne nuk lejojmë ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes private të Thaçit me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit i cili na i humbet mbi 8.200 hektarë. I ashtuquajturi President Thaçi duhet të përgjigjet për krimin dhe tradhtinë e bërë”, thuhet në fund të reagimit të VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat