Kryetari Haliti kërkon mbështetje financiare nga qeveria e Kosovës për rregullimin e shtratit të lumit "Morava e Binqës"

Gjilani

Kryetari Haliti kërkon mbështetje financiare nga qeveria e Kosovës për rregullimin e shtratit të lumit "Morava e Binqës"

Nga: Aziz Zuka Më: 15 qershor 2016 Në ora: 15:10
Legjenda: Foto: Pamje nga tryeza e mbajtur në Gjilan

Viti, 15 qershor - Është mbajtur një tryezë e rrumbullaket për përcaktimin e modaliteteve të financimit të projektit „ Morava e Binqës“. Kjo Tryezë është organizuar nga Agjensioni për Zhvillim sektori Lindje (RDA) ku morën pjesë komunat e lindjes si; Viti, Gjilan, Ferizaj, Kllokot, Partesh, Kamenicë.

Gjatë këtij takimi fjalën kryesore e mbajti kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i cili edhe paraqiti një koncept rreth shtratit të lumit „ Morava e Binqës“ lum që rrjedh nëpër juglindje të Kosovës.

Kryetari Haliti ndër tjerash tha se shtrati i këtij lumi duhet të rregullohet sa më parë me qëllim që ai të shndërrohet në përparësi hidro-ekonomike dhe potencoi se deri me tani për shkak të mos rregullimit të tij ky lum çdo vjet del nga shtrati dhe shkakton dëme.

"Po thuajse çdo vjet lumi derdhet përtej brigjeve të tij dhe përmbyt zonat bujqësore, duke shkaktuar dëme milionësh. Përmbytjet gjithashtu dëmtojnë edhe shtëpitë rrugët, sidomos në lokalitete që janë më shumë në drejtim të rrjedhës.

Shtrati i lumit nuk është pastruar me dekada dhe në të ka plotë më pemë të rritura dhe vegjetacion tjetër që pengon lëvizjen e ujit nëpër të, për më tepër, sedimentimi dhe hedhja e paligjshme e mbeturinave në të janë të përhapura, duke zvogëluar më tej profilin e lumit", u shpreh Kryetari Haliti.

Ai po ashtu tha se këto përmbytjet shkaktojnë edhe dëme të tjera si në pronën publike ashtu edhe private. Haliti tha se është e domosdoshme që të intervenohet sa më parë në rregullimin e shtratit të këtij lumi pasi që ajo nuk është në interes vetëm të komunës së Vitisë por edhe të komunave të tjera dhe bëri me dije se studimi i fizibilitetit për Menaxhimin e Rrezikut nga përmbytjet e lumit “Morava e Binqës” kanë përfunduar në shkurt të vitit 2014.

Ndërkaq edhe z. Christof Stock, Shef i Bashkëpunimit nga zyra e BE-së u pajtua se ky projekt është në interes ë komunave të këtij regjioni dhe tha se këto komuna duhet të bashkëpunojnë në mes veti dhe të kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta vendos si prioritet që të financohet nga fondet e IPA-së së BE-së, fonde këto që ndahen në bazë të prioriteteve të cilat i vendosë Republika e Kosovës.

Ai po ashtu tha se për rëndësinë e këtij projekti është shumë i vedijëshëm pasi që për të është njoftuar nga Kryetari Haliti.

E, Lutfi Haziri , kryetari i komunës së Gjilanit tha se edhe kjo komunë mbështë këtë nismë pasi që është në interes edhe të saj që një projekt i tillë të finalizohet sa më parë në mënyrë që të jetë edhe një resursë shtesë për zhvillimin ekonomik të zonës.

Ndërkaq në këtë tryezë përfaqësuesit e Departamentit të Ujërave të Republikës së Kosovës theksuan se projekti i lumit Morava e kanë vendosur në prioritetet e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor por normalisht duhet që kryetaret e komunave të insistojnë që ky projekt të jetë në mesin e projekteve që të financohet në bazë të prioriteteve nga bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat