Halimi s’e përjashton mundësinë të ketë post të lartë në PDK

Politika

Halimi s’e përjashton mundësinë të ketë post të lartë në PDK

Më: 13 qershor 2016 Në ora: 16:56
Ajnishahe Halimi

Ish-anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajnishahe Halimi, e cila së bashku me disa ish-anëtarë tjerë të VV-së themeluan partinë politike “Fraksion Plus”, e që tashmë i janë bashkëngjitur PDK-së, ka marrë urime të shumta nga qytetarët e Skenderajt, mirëpo jo edhe nga deputetët e Drenicës, Ganimete Musliu dhe Blerta Deliu-Kodra.

Halimi, në një prononcim për mediat vendore, ka treguar për rrugëtimin e saj prej partisë së Visar Ymerit e deri tek kalimi i saj i fundit në Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilin thotë se është mirëpritur nga shumica e qytetarëve të vendit.

“Ka qenë një kohë e gjatë që kam qenë në një parti tjetër (LVV) mirëpo njerëzit më njohin prej veprimtarisë së mëhershme dhe e din për punën që unë kam bërë. Fatkeqësisht ndoshta ka qenë një hyrje e imja më herët në “Vetëvendosje” që atyre edhe ju ka mbetur hatri. Njerëzit e din tash punën time, kam marrë urime të shumta nga Skenderaj. Pra, shumica janë të lumtur sepse mendojnë se aty është hapësira dhe vendi ku unë mund të zhvillojë dhe ta rris karrierën time politike, normalisht në dobi të qytetarëve”, ka thënë ajo, duke shtuar se ka pas edhe reagime kundër aderimit të saj në PDK-në.

Më tej, ajo ka folur edhe për mundësinë e kandidimit si deputete nga rajoni nga vjen ajo. Halimi thotë se nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të ketë ndonjë post të lartë në partinë e Kadri Veselit.

“Brenda Partisë Demokratike duhet të punojë, të jap kontributin, të zhvillojë karrierë, të jap ide dhe krejt këto aktivitete të japin mundësin varësisht të jesh apo të mos jesh në listë. Unë nuk kam hy në PDK që të jem gjithsesi deputete. Kam hy për t’i ndihmuar dhe zhvilluar PDK-në. Dëshira ime është të kontribuoj dhe të zhvillojë reforma brenda partisë dhe krejt këto munden me ndiku pozitivisht që unë të jem në një vend apo post më të lartë. Por nuk kemi zhvilluar biseda absolutisisht sepse puna në parti është vullnetare”, ka thënë ajo.

Anëtarja më e re e PDK-së ka folur edhe për rivalitetin që ka në rajonin e saj, duke përmendur dy deputetet, Ganime Muslin dhe Blerta Deliu-Shkodrën. Ajo thotë se këto të fundit nuk ia kanë uruar asaj aderimin. Megjithatë, Halimi thekson se me dy deputetet e Drenicës ka diferencë të madhe sa i përket zhvillimit politik.

“Nuk konsideroj se mund t’i kem rivale aq të forta brenda partisë. Secili individë lufton për të krijuar personalitetin dhe profilin e tij në politik. Është normale me pas rivale sepse konkurrenca rritet mirëpo diversiteti brenda partisë është i pranueshëm dhe i natyrshëm. Unë nuk kam prit që duhet të marrë gojarisht ose me shkrim urim prej tyre. Unë të paktën kam më shumë se 20 vjet se to karrierë politike dhe punë me përgjithësisht qytetarët. Prandaj nuk konsideroj se ato është dashur mua të më thërrasin sepse është punë e tyre sepse është normale që në këtë kohë dikush të pranoj me urim e dikush pa urim”, është shprehur ajo.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat