Pajisja përgjuese, "arrest në shtëpi" për dy zyrtarët e policisë

Kronikë e zezë

Pajisja përgjuese, "arrest në shtëpi" për dy zyrtarët e policisë

Më: 10 qershor 2016 Në ora: 15:27
Gjykata e Tiranes

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë për dy zyrtarët e akuzuar për kryerje të veprimeve të paligjshme me pajisjen “IMSI Catcher”. Ndaj Artion Dukës, kreu i Forcës Operacionale, dhe specialistit Entiol Xhelilaj, gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”. Duka dhe Xhelilaj akuzohen se kanë fshehur pajisjen përgjuese “IMSI Catcher” kur prokuroria kërkoi sekuestrimin e saj.

Ku gabuan dy krerët e Operacionales me pajisjen e italianëve

Artion Duka - Kreu i Forcave Operacionale nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës.

Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e F.O. Po ashtu, Duka ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë gjithë kohës së trajnimit në ambientet e Forcës Operacionale.

Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga Artion Duka, është edhe më e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumtim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit “IMSI CATCHER” nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm.

Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu, nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundorë nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë, sipas arsyetimit të prokurorisë, bie ndesh me detyrimet e ligjit 9918 Neni 123/2.

Ention Xhelilaj - Shtetasi Ention Xhelilaj, me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim, theksohet në kërkesën e prokurorisë. “Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyre automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknike të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve”, nënvizon prokuroria.

Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në F.O, del qartë, sipas akuzës, se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.

Në lidhje me të njëjtën çështje, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pak ditë më parë, gjykata vendosi masën ndaluese “pezullim nga detyra” për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Ai akuzohet për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisjeje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat