Ministrat e rinj të BDI-së, jashtë qeverisë së zgjeruar

Maqedonia

Ministrat e rinj të BDI-së, jashtë qeverisë së zgjeruar

Më: 9 qershor 2016 Në ora: 22:41
Ilustrim

Ministrat e rinj te BDI-së postet e tyre i kanë të sigurta vetëm deri në formimin e qeverise së re që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Partia e Ahmetit, formatimin e kabinetit qeveritar, sipas te gjitha gjasave do ta shfrytëzojë për të ndërruar disa nga kuadrot e saj në ekzekutiv.

Një funksionar i lartë i kësaj partie, në kushte anonimiteti i ka thënë televizionit Alsat-M se për shkak të pakënaqësive të shumta, kreu më i lartë partiak po shqyrton seriozisht mundësinë për ndërrimin e shumicës së ministrave dhe zv/ministrave. Megjithatë, të parët që ndodhen në listën e ndryshimeve janë zv/kryeministri për Marrëveshjen e Ohrit, ministri i Arsimit, ai i Ekonomisë, ministri i Drejtësisë si dhe disa zv/ministra. Nuk dihet nëse në lojë është kthimi i ministrave të mëparshëm.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se tema e ndërrimit të ministrave ende nuk është hapur në parti. Sipas tij, gjithçka do të varet nga rrjedha e negociatave për organizimin e zgjedhjeve dhe nga marrëveshja për formatin e qeverisë që do të organizojë procesin elektoral.

“Nuk është biseduar fare ajo temë, d.m.th do të duhet të fillojë procesi i bisedimeve mes partive politike, të shihet se në çfarë kahje do të zhvillohet procesi dhe pastaj do të vendoset çka më tutje. Deri atëherë gjithçka është spekulim dhe paragjykim i situatës. Ne nuk duam të paragjykojmë epilogun e negociatave eventuale”, tha zëdhënësi i BDI-së

Jo zyrtarisht mësohet se emërimi i kuadrove pa eksperiencë politike në ekzekutiv në kohën kur vendi përballet me një krizë të thellë nuk është mirëpritur as nga diplomatët e huaj, të cilët ia kanë shprehur pakënaqësinë e tyre kreut të partisë. Ndërkohë, BDI thotë se po angazhohet për rikthimin e dialogut për zgjidhjen e krizës dhe për një takim të ri liderësh. Integristët kërkojnë që qeveria për organizimin e zgjedhjeve të ketë mbështetje të gjerë dhe në të të përfshihen katër partitë kryesore ne vend.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat