Nishani uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit

Shqipëria

Nishani uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 18:31
Bujar Nishani

Presidenti, Bujar Nishani, uroi besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit. Në urimin e tij, kreu i shtetit thotë se muaji i shenjtë është periudha e sakrificës dhe e reflektimit, e vetëpastrimit shpirtëror dhe e devotshmërisë ndaj të Plotfuqishmit.

“Ky muaj i shenjtë dhe i pakrahasueshëm shënon sakrificën më sublime njerëzore ndaj besimit të palëkundur për krijuesin, për ligjet e patjetërsueshme dhe rregullat hyjnore, të cilat kthjellojnë shpirtrat e përkushtuar dhe pastrojnë e qetësojnë mendjet e trazuara të besimtarëve myslimanë në mbarë botën, duke i bërë edhe më të vetëdijshëm për mrekullinë e besimit dhe rëndësinë e vlerave të tij”, thuhet në urim.

Sipas Nishanit, sakrifica e Ramazanit është festë fetare, por njëkohësisht edhe guri i provës së besimit të njerëzve ndaj besëlidhjes së tyre me Zotin e Plotfuqishëm. Ai ka ftuar besimtarët myslimanë që të jenë më të bashkuar në këtë muaj e përgjithmonë.

“Le të shërbejë ky muaj i shenjtë për të gjithë ju besimtarë myslimanë, që të lini mënjanë ndasitë, t’i bëni thirrje ndërgjegjes suaj për të përmbushur më së mirë detyrimet dhe përgjegjësitë njerëzore dhe fetare, për t’iu shmangur veseve dhe dobësive, për t’iu gjendur me më shumë dashuri dhe përkujdesje njëri-tjetrit dhe të afërmve tuaj si dhe për të vënë në piedestal e për t’iu falur vetëm vlerave të vërteta e të pastra njerëzore”, thuhet në urimin e kreut të shtetit, i cili në fund thekson për një agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat