E gjithë bota nxiton, unë pres momentin (Foto)

Mediale Vip

E gjithë bota nxiton, unë pres momentin (Foto)

Nga: Maksim Gjokaj Më: 3 qershor 2016 Në ora: 12:15
Laura Krliu

Ajo këndonte edhe më parë në shumë mbrëmje, por ra në sy për zërin e saj kur u shfaq në talent show “X Factor Albania 3”.

E kemi fjalën për këngëtaren Laura Krliu, e sot ajo po pranon shumë komente pozitive dhe mesazhe nga shumë artistë dhe njerëz të cilët sapo e kanë parë dhe dëgjuar këngën e saj të parë, ardhur vetëm disa ditë më parë “Boll mo” me anë të një video.

Në rrëfimin e saj për “Bota sot” Laura na tregon për këtë pritje të gjatë deri te publikimi i projketit të parë, madje tashmë e ka nisur me hov e ka gati këngën e dytë. Ne ishim aty edhe në promovimin e këtij klipi ku mes shumë të ftuarve, kishte edhe kolegë, megjithëse disa i munguan e arsyen na e shpjegon vetë Laura gjatë intervistës.

“Bota sot”: Laura e lumtur më në fund për projektin e parë me video?

-Sigurisht, është kurorëzim i një pune të mundimshme ndër vite dhe një fillim i ri në jetën time artistike.

“Bota sot”: Më duket edhe në titull ke thënë “Boll mo” prita ja ku po e sjell këngën?

-(Qesh). Ajo kuptohet, por gjithçkaje në jetë i duhet thënë "Boll Mo" në një moment që të caktosh përparësi të reja dhe të shohësh vetëm përpara.

“Bota sot”: Cilët janë ata që të kanë shtyrë më shumë që ta sjellë këtë projekt?

-Nuk kam nevojë për ndonjë shtysë që të bëj diçka që e dua. E bëj se e ndiej dhe kaq, është e thjeshtë.

“Bota sot”: Mendon se je vonuar paksa, sidomos pas super famës që more në “X Factor Albania”?

-Nuk mendoj se njeriu duhet të tërhiqet nga rrjedha e momentit. E gjithë bota nxiton, unë pres momentin që të ndihem e përkryer.

“Bota sot”: E si po ecën klipi dhe kngë në kalanin Youtube, e mirë pritshmëria?

-Në fakt unë jam e arrirrë edhe sikur vetëm 1 person ta ketë pëlqyer këngën. Nuk jam tendencioze me koleget e mi që t'i mund me klikime. Dua thjesht të percjell atë që ndiej dhe për t'ju pergjigjur pyetjes tënde unë jam e kënaqur deri tani.

“Bota sot”: Pak ditë më parë kishit edhe promovimin, shumë miq erdhën, por ndoshta pritshit edhe të tjerë kolegë?

-Në promovim erdhën shumë kolege, miq dhe familjarë për të më perkrahur. Natyrisht e kisha parasysh se disa të tjerë nuk do jenë present, shkaku i obligimeve të shumta, megjithatë kam patur përkrahje duke marrë mesazhe dhe telefonata pafund.

“Bota sot”: Po ish konkurentët e “X Factor” ishin, apo more mesazhe uruese prej tyre?

-Nga konkurentët e "X Factor Albania” ishin Mia, Filonidi nga grupi “Free Spirit”, Vetoni nga grupi “Exception”, ndërsa të ftuar kishte plot po shkaku i obligimeve nuk erdhen. Pastaj të tjerët më dërguan mesazhe urimi si shenjë e afërsisë që ende e kemi, edhe pse nuk shihemi shumë shpesh dhe u jam vërtetë mirënjohëse.

“Bota sot”: Laura por ju nuk keni pasur klipe por angazhime në muzikë “live” po, ku më shumë?

-Angazhime në muzikë "live" kam çdo javë, ndonjëherë edhe disa herë në javë në të gjitha trojet shqiptare si në Maqedoni, Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

“Bota sot”: E dimë se tashmë nuk do të ketë të ndalur me projekte muzikore, e rregjistruat këngën e radhës?

-Pikërisht 2 ditë pas promovimit të videoklipit të këngës "Boll Mo" e regjistrova edhe këngën e dytë për të cilën do bëhet edhe videoklip, dhe jam shumë e kënaqur. Jam e sigurt se do vijë edhe më fuqishëm në treg

“Bota sot”: Ke thënë se do të sjellësh këngë që i don e të flenë në shpirt e jo këngë komerciale, ndërsa tregu sot po shitet si i tillë pse?

-Kjo nuk është diçka që e kam thënë unë si Laura, por është një fakt sepse po ta shikosh me vëmendje këngët që janë bërë hite janë pikërisht këngë komerciale që janë aktuale këtë sezon veror dhe sezonin tjetër zëvendësohen me ndonjë hit tjetër i cili është përsëri komercial. As edhe një këngë nuk mbetet në memorie për shumë gjatë, as edhe një këngë nuk quhet perle. Ka vite që muzika nuk prodhon muzikë të mirëfilltë. Megjithatë unë do t’i qëndroj besnike parimeve të mia dhe pasionin që kam për muzikën, duke u përpjekur që publiku ta dojë artin tim.

“Bota sot”: E gjatë verës që erdhi ku do ta gjejmë Laurën?

-Gjatë verës do përgadis projektin tim të radhës dhe natyrisht si çdo sezon veror besoj që do jem e angazhuar nëpër mbrëmjet "live".

Image

 

Image
Image

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat