Kryefamiljari i plagosur: Si na grabitën fqinjët, donin lekët e djalit emigrant

Kronikë e zezë

Kryefamiljari i plagosur: Si na grabitën fqinjët, donin lekët e djalit emigrant

Më: 5 maj 2016 Në ora: 07:51

Grabitësit, që sulmuan me armë e maska banesën e një banori në lagjen “11 Janari” në Kuçovë, e planifikuan ngjarjen pas ardhjes së djalit emigrant të kryefamiljarit.

Autorët janë fqinj me familjen e Flamur Shpatës, i cili u plagos nga plumbat e qëlluara nga një prej grabitësve. Të dy ata, Ismet Kumria, 50 vjeç dhe Artur Polovina, 43 vjeç, u arrestuan nga policia pas ngjarjes së ndodhur pasditen e së hënës.

Mësohet se djali 23-vjeçar i Shpatës ishte kthyer nga emigracioni ditët e fundit dhe autorët janë futur për të grabitur paratë, që mendonin se do të kishte sjellë i riu.

Por u përleshën me 23-vjeçarin, i cili arriti që të neutralizojë njërin prej tyre dhe ta lidhë, derisa arriti policia, duke kapur në kohë rekord edhe tjetrin.

Flamur Shpata, kryefamiljari që shpëtoi paq nga plumbat, tregon për “Panorama” momentet kur hajdutët i hynë në shtëpi.

Si ndodhi ngjarja?

Ishim në banesë kur papritur djali më thirri: Po na vjedhin! Në këto momente ne dëgjuam zhurmë te dera e banesës. Menjëherë dolëm së bashku me djalin. Për momentin ne u përballëm me dy persona të maskuar. Pas përleshjes me ta, njëri nga autorët për të shpëtuar qëlloi me armën që mbante në dorë, tip kallashnikov. Plumbat më plagosën mua në dorë dhe më pas plumbi më përshkroi një pjesë të trupit, në krahun e djathtë.

Po më pas, si arritët që të neutralizonit autorët?

Në këto momente djali im, pasi është i fuqishëm, paralizoi njërin nga autorët, pikërisht atë që qëlloi me armë në drejtimin tim. Ai ishte Ismet Kumria. I ka marrë atij armën nga duart dhe e lidhi, që të shmangte ndonjë tragjedi, pasi autori mund të qëllonte sërish drejt nesh. Djali u hoqi maskat dhe më pas u njohën autorët e kësaj ngjarjeje, fqinjët tanë. Ndërsa autori tjetër është larguar me shpejtësi për të shpëtuar, por policia arriti ta kapte në kohë.

Si ndiheni tani?

Pas arrestimit të dy autorëve që tentuan të më merrnin jetën për të vjedhur banesën, jam shumë i qetë. Por edhe pas mjekimeve të plagëve të marra nga plumbat jam akoma më i qetë.

A i njihnit më parë këta persona?

I njihnim si banorë të lagjes, por jo se kishim miqësi me ta. Nuk na shkonte kurrë ndër mend se ata do të na vidhnin me armë. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Ata u maskuan për të mos u njohur dhe u futën me armë, por deshi Zoti që shpëtuam mirë./panorama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat